Ana e errët

Ekskluzive / Dosja Tahiri-Habilaj: Si komunikonin drejtuesit e policisë me trafikantët

Tashmë që u caktua treshja gjykuese që do të gjykojë Saimir Tahirin dhe tre ish-zyrtarët e lartë të policisë, Gazeta Si publikon dhe faktet e provat që prokurorët besojnë se të pandehurit kanë kryer vepra penale. Në 87 vendime të seancës paraprake që Gazeta Si disponon, prokurorët përmbledhin fabulën e 56 fashikujve hetimorë që gjatë seancës paraprake i zhvendosën me karrocë nga zyrat në sallë, në pamundësi për t’i transportuar në krahë.

Kush janë të pandehurit:

1. Saimir Tahiri, 39 vjeç, ish-ministër i Brendshëm, politikan. I diplomuar si jurist dhe i përfaqësuar në historinë penale nga kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, ai ishte një vizitorët më të shpeshtë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai u mor i pandehur dhe iu komunikua akuza më tepër se një vit e pesë muaj nga dita kur iu regjistrua emri në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe përkatësisht më 28 janar 2019.

2. Jaeld Çela, 42 vjeç, nga Çorovoda, ish-drejtor i Policisë së Vlorës. I shpallur në kërkim prej një viti, ai mbahet si një nga oficerët më të mirë të hetimit të Krimeve të Rënda gjatë kohës që ishte agjent në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. U katapultua si zyrtar policie gjatë kohës që Policinë e Shtetit e drejtonte Haki Çako dhe mori drejtimin e Policisë së Vlorës gjatë kohës që ky qytet ishte dhe vazhdon të jetë një nga qytetet më të vështira për zbardhjen e ngjarjeve kriminale.

3. Sokol Bode, 39 vjeç, lindur dhe banues në Berat. Mbante detyrën si shef i Postës së Dhërmiut dhe ishte i panjohur për publikun deri ditën kur u shpërnda fotoja nën shoqërinë e dy vëllezërve Habilaj. Ai u vendos nën hetim më 15 nëntor 2017, pak kohë pas arrestimit të Habilajve në Itali për shkak të detyrës së tij që mbante në Dhërmi, nga vendi ku në 2015-ën është nisur peshkarexha Fatima e ngarkuar me 880 kilogramë kanabis.

4. Gjergji Kohila, 38 vjeç, ish-shef kundër krimit të organizuar në Policinë e Vlorës. Ai është nga Delvina dhe jeton në Tiranë, megjithëse prej më shumë se një viti askush nuk e di se ku gjendet shefi i policisë, edhe ai i kërkuar bashkë me dy ish-zyrtarët e tjerë. Për tre ish-zyrtarët e Policisë, Interpol Tirana njoftoi gjykatën në datën 20 mars 2019 se “deri tani Interpol Tirana nuk disponon informacion dhe nuk është njoftuar nga asnjë zyrë homologe lidhur me lokalizimin e këtyre tre të pandehurve jashtë vendit”. Edhe Komisariati numër 2, numër 3, por edhe Policia e Beratit kanë njoftuar mosgjetjen e të kërkuarve.

Të katër të pandehurit, me në krye ish-ministrin e Brendshëm akuzohen për trafikim të narkotikëve në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal. Në fillim Prokuroria thotë se hetimi ka nisur më 8 korrik 2016, pasi kishte informacione se ish-shefi i policisë, Kohila së bashku me një polic tjetër, Renato Avdylin dhe nga ana tjetër Moisi Habilaj e të tjerë vepronin si grup kriminal për kultivimin e drogës. Kjo dosje mban numrin 134.  10 muaj më vonë, Prokuroria çel edhe një dosje të dytë për Vlorën me numër 164 kur sërish gjenden emrat e vëllezërve Habilaj, por edhe i atij që mori nofkën si financier, Nezar Seiti. Ata dyshoheshin se ishin pronarë të një gomoneje që e kishin fshehur në fshatin Hoxharë të Fierit dhe nga informacionet grupi po bëhej gati të trafikonte drogë drejt Siçilisë.

Dosja e tretë, e njohur si 313, u hap pas njoftimit se në Itali ishin arrestuar Moisi Habilaj dhe disa nga anëtarët e grupit, për episodin e sekuestrimit të 3.5 tonëve kanabis sativa. Hetimi nisi nga të dhënat publike thotë prokurori edhe në adresë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ku edhe u regjistrua procedimi në datë 17 tetor 2017. Të tria dosjet e mësipërme u bashkuan në një gjatë muajve në vazhdim.

Mes përgjimeve argumentohen edhe dyshimet për përfshirjen e ish-zyrtarëve të policisë, por këqyrja e telefonave ka zbuluar, thotë Prokuroria, se kultivuesi i drogës, Taulant Haxhiraj, njoftohej në chat nga persona të tjerë për vendosjen e tij nën hetim nga Krimet e Rënda, por edhe ekzistencën e përgjimeve dhe vëzhgimin e vazhdueshëm nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Ekspertimi i telefonit BlackBerry ka zbuluar se emri i regjistruar si Fiati ishte zyrtari i policisë, Gjergj Kohila dhe se një numër me germën R, i përkiste oficerit tjetër të policisë, Renato Avdylaj, i cili ishte kunati i Kohilës. Në chat Xheku i shkruan me identitetin e fshehtë Agushit që është kultivuesi Haxhiraj.

Xheku 1: “U pleksa me këtë legenin, kunatin e Gj”  * Gjergj Kohilës “

Taulant Haxhiraj – Po vlla, por Gj. më thotë mos dil

Xheku 1: “… dhe thashë të pyesja njëherë ty vëlla se kam frikë që kërcënova atë që më thoshe ti mos u pleks, R . *policin Renato Avdylaj*

Për oficerin tjetër, Sokol Bode ekziston komunikimi mes tij edhe Florjan Habilajt

Sokol Bode: Alo

Florian Habilaj: Po

Sokol Bode: Si je zotëri, mirë jeni?

Florian Habilaj: Mirë, faleminderit

Sokol Bode: Të shqetëson?

Florian Habilaj: Po

Sokol Bode: Po vij për dhjetë minuta në bazë

Florian Habilaj: Ku të pres?

Sokol Bode: Poshtë

Florian Habilaj: A të vij te karburanti?

Sokol Bode: Në Çole, në Çole…

Kjo bisedë është zhvilluar tri ditë përpara se policia të bllokonte ngarkesën me drogë në Babicë të vogël në shtëpinë e Armando Kocerrit dhe komunikimi vërteton sipas Prokurorisë se oficeri mbante kontakte me grupin e Moisi Habilajt, edhe pse ai ishte transferuar ndërkohë nga detyra dhe grupi ndërkohë edhe pse ishte goditur në Itali vazhdonte të ishte aktiv. Biseda zhvillohet në kohën kur i vëllai Florian Habilaj nuk ishte shpallur ende në kërkim dhe ndërkaq po bëheshin përgatitje të trafikohej ngarkesa me mbi 3 mijë kilogramë kanabis drejt Italisë, nga shtëpia e Armando Kocerrit. Ngjarjet zhvillohen në datën 24 shtator 2017. Por Armando Kocerri telefonohet nga një numër.

Armando Kocerri: Hë?

0695252289: Ka ardhur një motor nga këta të policisë këtej…

Armando Kocerri: E di

Dy ditë më pas Moisi Habilaj telefonon oficerin e policisë, Sokol Bode.

Moisi Habilaj: Hë vëlla

Sokol Bode: Ika unë, jam në Roskovec, mora edhe kamionin me bërsí

Moisi Habilaj: E more vetë?

Sokol Bode: Jo, jo erdhi shoferi vetë, i zoti i kamionit

Moisi Habilaj: E mirë të keqen

Sokol Bode: Unë po iki me Fatjonin, mora edhe Çimin me vete

Moisi Habilaj: Kë Çim?

Sokol Bode: Ha ha ha ha

Moisi Habilaj: Çimin e Bodes

Sokol Bode: Çimin e Bodes

Armando Kocerri, i cili ishte i shqetësuar, pasi kishte ngarkesën e drogës në shtëpi, një ngarkesë që u bllokua në muajin tetor telefonon një numër që i përket një oficeri policie.

Armando Kocerri: Ça bën?

X: e ca do bëj, dola këtej nga lagja jote

Armando Kocerri: Nga lagja ime, ti ishe me makinë andej?

X: Jo, nuk isha me makinë isha në këmbë.

Armando Kocerri: Po kishte qenë një makinë pak më parë

X: Ëëë.. janë tanët, janë pa dëme

Armando Kocerri: Jo.. joo. Por them..

X: Jo, po këtu erdha unë

Armando Kocerri: Është njëri që njeh aty

X: Eee janë tanët. Ku je ti .. ça bëre

Armando Kocerri: Unë jam në Vlorë, por më thanë ata të shtëpisë, që kështu kështu një makinë them…

X: Eee .. rrini pa merak

Armando Kocerri: Jo, jo s’të mora për atë punë.. po të mora direkt mos ka ashtu ndonjë me rrjetë. Sado që të kam ty më vjen informacioni

X: po janë njerëzit tanë

Armando Kocerri: E mirë xhaxha.

 

Më Shumë