Ana e errët

Ekskluzive/ Ustai, Agushi, Xheku, Fiati… Përgjimet e ish-drejtuesve të Policisë në Dosjen “Tahiri”

Gazeta Si vijon publikimin e dosjes së prokurorisë për hetimin ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe përfshirjen e ish drejtuesve më të lartë të policisë në Vlorë (të cilët janë në kërkim) për lidhjet me Habilajt.

Ish-drejtori i Policisë së Vlorës Jaeld Çela përmendet shpesh në komunikimet mes kultivuesve. Por i pandehuri Taulant Haxhiraj konsiderohet si njeriu që kishte folur me zyrtarin për të gjetur toka në Kuç e Vranisht të Vlorës, ku një tjetër person me nofkën “Aliej”, mund të kultivonte hashash.

Për këtë mbështetje që ju jepej do të kërkohej 30 për qind e sasisë së lëndës narkotike, duke u mundësuar madje edhe trafikimin bashkë me pjesën që u përkiste.

Prokuroria tregon se ka këqyrur tabulatet në përdorim të numrit të Jaeld Çelës, në të cilat zbulohet se ai ka patur komunikime me këtë të pandehur, por edhe me Florian Habilajn. Biseda me këtë të fundit, që është vëllai i Moisi Habilajt është zhvilluar në datën 28 janar 2016 dhe telefonatën e ka kryer vetë drejtori i policisë së Vlorës. Më tej edhe në datën 31 dhjetor 2016 konkludohet se Jaeld Çela i ka çuar mesazh Florian Moisiut.

Të dyja këto komunikime prokuroria i konsideron si indicia për njohjen mes zyrtarit të policisë dhe trafikantit. Në chat prokuroria ka zbuluar një bisedë mes një personi me nofkën “Ustai”, që dyshohet se ka në qendër Sokol Boden, ish-shef i stacionit policor Dhërmi. Ai ka mbajtur këtë detyrë nga 16 dhjetori 2013 deri më 8 maj 2016 si shef stacioni, ndërsa me një urdhër që ka hyrë në fuqi në datën 9 maj, ai është transferuar si shef komisariati në Pukë.

Biseda e mëposhtme që sjell ekskluzivisht Gazeta Si ka në qendër rolin e rëndësishëm të Sokol Bodes në mbështetje të personave që trafikonin drogë. Dhe një polic me nofkën “Ustai” flet me “Agushin” që është Taulant Haxhiraj. Biseda mban datën e largimit të Sokol Bodes nga detyra në Dhërmi dhe që tregon se shefi i Dhërmiut ishte larguar në Shkodër, që është pikërisht drejtoria nga varet komisariati i Pukës.

Biseda 1
Ustai:Çpb bën vëlla?
Agushi: Ka sapo shkr … me atë vëlla
Ustai: Ok më thuaj që të lëviz të paktën vëlla
Agushi: Të më vdesë djali, nuk të gënjej më tha, ja do të them kur të nisem. Po lëviz ti vëlla. Le të presë ai me mua.
Ustai: Okej.
Agushi: O vëlla, e hoqën atë. Në Shkodër e çuan.
Ustai: E mora vesh vëlla.
Agushi: Na këputën fare

Në fakt vetë Sokol Bode ka dy llogari në Chat me nofkën “Xheku” dhe “Xheku 1”. Gati një muaj pasi ai është transferuar në veri, ish-shefi i policisë e qetëson Taulant Haxhirajn duke i thënë se ja kishte lënë porosi pasuesit të tij.

.Biseda 2
Xheku: Se ai ka vajt aty ne vendin tim.
Agushi: Po e takoj vëlla dhe para dy ditësh me atë isha. Po më shumë më ka qënduar ai tjetri vëlla. S’të ndan nga goja.
Xheku: Kush o vëlla nga ata?
Agushi: Gj… (Gjergj Kohila). Ai më tha më ka lënë porosi ai, të ka mik. Më tha më takoi vetë dhe ky i makinës më qëndron.
Xheku: Se nuk do të bjerë njeri në qafë me atë.

Por personi që përmendet me gërmën GJ, ka nofkën e tij në chat. Ai emërohet “Fiati”, i cili interesohet nëse është komunikuar me Xhekun, që është Sokol Bode.

Biseda 3
Agushi: He
Fiati: Ee
Agushi: Ke folur me Xhekun
Fiati: E kam porositur çdo ditë, ku ta dija ynë që ishte kalama ai.

Disa muaj më vonë i dyshuari si Sokol Bode shfaqet sërish në Chat me nofkën “Xheku 1”.

Biseda 4
Xheku 1: Ça bën si je vëlla?
Agushi: O vëlla si të kam? Suksese për punën e re. Nga shtëpia mirë i ke? Fola pak me Gj ( Gjergj Kohila). Më tha është një procedim, na krimet e rënda. Ça të doli ty vëlla se më ka ikur mendja keq fare. Të më falësh se u futa direkt në hallin tim. Por që kur ike ti, më mori lumi mua me këta legena që kanë mbetur këtu.
Xheku 1: Unë hiç vëlla. Mirë për Zotin shtyhu këtej. Por me kujdes aty.
Agushi: Po aty është më mirë.
Xheku 1: Mos dil shumë vërdallë. Po këtu mirë vëlla. Ti ça bëre andej. Mirë dole. Apo nuk ke mbaruar akoma?
Agushi : Ma prenë vëlla
Xheku 1: Ça thua?! Bo bo!
Agushi: Atje te mua vetëm prenë.
Xheku 1: Po ça thua unë fola me atë shoqen qëparë, po çfarë halli kishte ajo se s’kisha ku të flisja.
Agushi: Po vëlla ky Gj. më thotë mos dil. Do të them unë thotë se janë një grup në Vlorë.
Xheku 1: Po mos të gënjejnë apo bëjnë kot ata për tju dhënë ndonjë gjë. Ai thotë është gati për arrest.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë