Politike

“Toyota” e Bashës dhe “Timoni” i Ballës

Gjatë seancës parlamentare të së enjtes së kaluar, Lulzim Basha nuk përmendi emrin e deputetit socialist që e lidhte me shumën e eurove, që tha se janë pikasur në Gjermani në një automjet Toyota Yaris.

“Njëri prej atyre që zgërdhihet më shumë ka qenë në Gjermani para 3 ditësh. Mbajeni mend këtë që u them. Ka porositur një Toyota Yaris bashkë me 1.5 milionë euro brenda. Po ta kanë zbuluar Toyotan o zgërdhimtar! Vazhdo qesh, po do ta shikosh se çfarë do të të tunden para hundës shumë shpejt”, tha ai, pa përmendur emrin e deputetit që iu drejtua.

Por, të hënën, një ditë pasi policia e shtetit njoftoi kapjen e 3.5 milionë eurove në dy makina Toyota Yaris që po hynin në Portin e Durrësit si ngarkesë në një kamion, kryetari i Partisë Demokratike foli para gazetarëve me emra konkretë dhe mohoi të ketë dekonspiruar operacionin e policisë.

“Taulant Balla është garant i miliona eurove para të drogës të kapura në Toyota Yaris, që i përkasin një prej bandave më të rrezikshme të trafikut të drogës. I vetmi dekonspirim është ai i planit të Taulant Ballës dhe i strukturave brenda Policisë së Shtetit dhe Parlamentit shqiptar për të çuar deri në fund bashkëpunimin me një nga bandat kryesore të drogës së Elbasanit dhe për të futur miliona euro të drogës në Shqipëri”, tha ai.

Basha e lexon këtë si vazhdim të ndërtimit të narkoshtetit nga ana e qeverisë së Edi Ramës dhe është i sigurtë kur thotë se për këtë, Bashkimi Europian do të vendosë këtë javë që të mos hapë negociatat.

Në deklaratën zyrtare të publikuar pas operacionit Policia e Shtetit thotë se ishte vënë në dijeni për shumën e parave të padeklaruar që do të hynte në Shqipëri nga burime vendase dhe jo nga partnerët ndërkombëtarë. Basha ka një tjetër version.

“Policia shqiptare ka qenë nën presionin e një prej partnerëve tanë për të vepruar. Është një nga vendet partnere, i cili është skeptik përsa i përket kushteve të Shqipërisë për integrimin në veçanti kundër krimit dhe korrupsionit”, u shpreh kreu i PD.

Basha i rezistoi këmbënguljes së gazetarëve për të dhënë emrin e shtetit partner skeptik për hapjen e negociatave, që sipas tij ka ushtruar presion tek policia shqiptare për të vepruar.

Menjëherë pas kësaj ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla. Ai paralajmëroi paditjen penale ndaj Lulzim Bashës, duke premtuar se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë