Libra

Saga e familjes Maia- Dekadenca e një epoke

Ajo që na bën ta durojmë këtë jetë, është pikërisht gazi i pafre, hareja. Në ditët e sotme, në Europë, njeriu sikur ka harruar të qeshë, vetëm sa buzëqesh nganjëherë. Kurse ne këtu, në këtë qoshe të botës së paqytetëruar, e ruajmë ende atë dhunti sipërore, aq ngushëlluese e të bekuar – siç është e qeshura sa të të dhëmbin brinjët...

***

Tingëllon aq aktual përshkrimi i autorit portugez në botën e shekullit 21, goditur nga pandemia e Covid dhe të gjitha pasiguritë e jetës që erdhën me të, ndonëse pjesa është shkëputur nga një roman që trajton dekadencën shoqërore të shekullit 19.

Për pakohësinë e librave apo ndoshta pikërisht se natyra njerëzore në thelb mbetet e pandryshueshme, pavarësisht epokave, Botime “Pegi” mendoi ta sillte në shqip kryeveprën e shkrimtarit portugez José Maria Eça de Queirós, “Saga e familjes Maia”.

Romani, një klasik i letërsisë portugeze, u  botua për herë të parë më 1888. Ngjarjet e romanit zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në të tregohen peripecitë e familjes aristokrate Maia në tri breza, deri te pinjolli më i fundit i saj. Romani gjithashtu është ekranizuar në seriale televizive, nën të njëjtin titull me origjinalin "Os Maias".

https://www.youtube.com/watch?v=3DlVsFuSCDk&fbclid=IwAR0Pt4G0FHLYarQgs8vL0OebVwj9Yh4yDT-AnnKryatits5LWXRMp0IJ6TU

Afonso da Maia, një fisnik i kamur, që prej vitesh jetonte i vetmuar në një çiflig fshati, vendos përfundimisht të kthehet në Lisbonë, në shtëpinë e quajtur Ramaljetë (Shtëpia me gjethe), për hir të nipit të tij Karlosit, të sapodiplomuar në Mjekësi.

Karlos da Maia, trashëgimtar i një prej dyerve më të mëdha aristokrate në Portugalinë e mesit të shekullit XIX, është i pasur, i pashëm, bujar e i zgjuar. Familja ka varur tek ai gjithë shpresat dhe ambiciet shoqërore.

***

Karlosi e shihte këtë martesë si bashkim i dy të zhgënjyerve nga jeta, të keqtrajtuar e të lodhur, apo edhe të trembur nga vetmia, ndaj duke parë këto ngjashmëri shpirtërore te njëri-tjetri, kishin mbajtur ndezur atë pak zjarr që u kish mbetur nga gëzimi dhe guximi i dikurshëm, përtë ngrysur bashkë pleqërinë.

***

 E shkuara e lavdishme dhe e tashmja e pakënaqshme bashkëjetojnë brenda tij gjatë gjithë  kohës. Një dandy i suksesshëm, historia e dashurisë e së cilit me Maria

Eduardën vë në lëvizje një sërë rastësish, që gërshetojnë në mënyrë kumbuese fatin e Karlosit me atë të të atit dhe përhapet në gjithë shoqërinë portugeze.

***

Po i shkonte jeta duke bërë sehir pasionet, tek i digjeshin ndër duar si fije shkrepësesh. Për shembull, lidhja me hungarezen. Kur nuk i erdhi herën e parë në takim, ai u shkreh në vaj me kokën zhytur në jastëk, ndërsa dy javë më pas, dërgoi Baptistën në hotel, që t’ia hiqte qafe

sapo ta shihte. Akoma më keq me holandezen, zonjën Rugel. Ditët e para u marros aq shumë pas saj, sa mendoi t’i shkonte pas në Holandë e të martohej me të, sapo të ndahej nga i shoqi, mirëpo më pas, kur ajo i varej në qafë me krahët e saj të bukur, atij i dukeshin të rëndë plumb...

Miqtë e Karlosit, që janë po ashtu bij fisnikësh, që enden nëpër kryeqytet në kërkim të kënaqësive, teksa filozofojnë, pinë, shkojnë kohën kot dhe ushqehen me ideale boshe për një Portugali të cilën do të donin ta shikonin në lartësinë e Francës apo të Anglisë, dëshmojnë më së mirë inferioritetin që ndiejnë para të huajve.

Nga ana tjetër, dashuritë e tyre dhe të Karlosit në veçanti, që përfundon me një dashuri incestuoze për të motrën, rrisin ankthin e pritjes dhe e shndërrojnë romanin në një tragjikomedi.

****

Rasti yt qenka si ai i Don Zhuanit. Don Zhuani e kishte këtë vetinë e shndërrimit të flakës në hi. Përherë në kërkim të asaj, gruas ideale dhe, si për të vënë drejtësinë në vend, e kërkonte te gratë e të tjerëve. Por pasi flinte me to, thoshte se ishte gënjyer, se ajo nuk kishte qenë e duhura. Kështu që kërkonte falje dhe tërhiqej. Në Spanjë kishte pasur një mijë e tre histori të tilla. Pra, edhe ti je i shthurur si ai, ndaj ndonjë ditë do të përfundosh njësoj si ai – në Ferr.

***

“Saga e familjes Maia” rrëfen kalimin e pandalshëm të kohës, kauzat e humbura dhe dekadencën e kulturës dhe shpirtit portugez. I konsideruar si “Libri më i mirë i romancierit më të mirë portugez” nga shkrimtari nobelist José Saramago, “Saga e familjes Maia” është një roman klasik i letërsisë portugeze, me një atmosferë dikensiane, me një stil realist alla Flaubert dhe Zola e me një subjekt të denjë për tragjikomeditë shekspiriane.

***

...tani, e gjora Portugali përpiqet të duket moderne, veçse pa origjinalitet, pa energji dhe aftësi për të krijuar një stil të vetin, unik... dhe çfarë bën? Imiton modelet e huaja që sheh në veshje e në ide, në sjellje dhe ligje, madje deri te gatimi... Mirëpo, këtyre njerëzve, duke qenë se u mungon sensi i masës, për më tepër që i ka vënë përpara padurimi për t'u dukur modernë e të qytetëruar, po e teprojnë me shabllonet dhe po i deformojnë ato deri në kufijtë e karikaturës.

Modeli i çizmeve që erdhi nga jashtë, kishte përpara njëfarë maje, por këta e holluan, e zgjatën dhe e bënë mu si gjilpërë.

***

“Me një stil të pasur, me një rrëfim plot pasion dhe me humor të hollë, Eça de Queirós analizon pa frikë dekadencën shoqërore të epokës dhe vendit të vet”, ka shkruar  The Neë York Times mbi romanin.  The Neë York Revieë shkruan se Romanet e Eça de Queirós, të mbushura me provokime seksuale dhe të egra nga ana sociale, që trajtojnë histori dashurie dhe skandale mes klerit dhe klasës së mesme, konsiderohen si pararendëse të realizmit në Portugali.

“Eça de Queirós ka kapur thelbin e shtresëzimit shoqëror të familjes dhe mënyrën e ndikimit të erosit mbi jetën personale. Romani kristalizon mashtrimin më të madh të një shoqërie incestuoze, të një shoqërie  që po shkon drejt zhbërjes”, ka shkruar për romanin Pubblishers Ëeekly

José Maria Eça de Queirós ishte shkrimtar, diplomat dhe gazetar portugez. Si shkrimtar ai ishte i përkushtuar ndaj reformave shoqërore që çuan në futjen e Natyralizmit dhe Realizmit në Portugali.

José Maria Eça de Queirós me bashkëshorten

Shpesh është konsideruar si romancieri më i mirë portugez i shekullit XIX,me famë ndërkombëtare. Ai ishte fëmijë i paligjshëm i një gjykatësi dhe  pjesën më të madhe të fëmijërisë e kaloi në kolegj. Studioi për juridik, por letërsia ishte ajo që e tërhiqte më tepër. Shumë shpejt, tregimet e tij të shkurtra – ironike, fantastike, makabre dhe shpesh tronditëse – si dhe artikuj për çështje nga më të ndryshmet do të botoheshin në Gazeta de Portugal. Më

1871, u bë pjesë e një grupi intelektualësh rebelë portugezë, i njohur si Brezi i ’70-ës, të cilët kërkonin reforma shoqërore dhe artistike. Ai ishte babai i realizmit portugez, rinovoi thellësisht gjuhën duke e shpënë në stadin aktual. Pjesën më të madhe të veprave i shkroi jashtë Portugalisë,

por gjithnjë me një vëmendje dhe sy kritik ndaj realitetit portugez.

Një paragraf i romanit gjithsesi tingëllon si një predikim biblik, ose më përtej, si një nga mësimet e budizmit, ku njeriu jeta e përditshme është kotësi e njeriu aq i vogël e megjithatë, shumë i madh si pjesë e universit, të cilit i kthehemi herët a vonë. Është ky ndoshta fokusi që i bën njerëzit të dalin nga qerthulli dhe dekadenca drejt kërkimit të së vërtetës dhe arsyes pse kemi ardhur në këtë botë

***

Asgjë mos dëshiro e asgjëje mos iu tremb. Mos shpreso më kot dhe as mos u mërzit. Prano që gjithçka vjen e shkon, madje qetësisht, ashtu siç pranojmë ndryshimet e motit me ditë të stuhishme e me ditë të ngrohta. Dhe në këtë paqe me veten, lëre mënjanë atë pjesën që quhet UNI, që të dekompozohet, të zhbëhet, derisa të humbasë në universin e pafund. Mbi të gjitha, mos lakmo. Dhe, për më tepër, mos u ligështo...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë