Politike

Saga e dosjes “Doshi”

Në muajt e parë të vitit 2015, kur vendi ishte pak muaj larg zgjedhjeve për pushtetin vendor, politika qendrore në Tiranë tronditet nga një akuzë e pashembullt deri atëherë për Shqipërinë. Deputeti, në atë kohë socialist, Tom Doshi, akuzon Ilir Metën se kishte porositur vrasjen e tij.

Doshi deklaronte se në atë kohë kreu i Kuvendit, që ishte edhe në qeveri me socialistët, kishte pajtuar një vrasës me pagesë për të ekzekutuar atë, së bashku me deputetin e Partisë Demokratike, Mhill Fufin.

Përmes disa postimeve në rrjetet sociale, Doshi fillimisht akuzonte Ilir Metën se kishte paguar 500 mijë euro për vrasësit dhe më vonë paraqiste një video-regjistrim ku shfaqej Durim Bami. Bami më vonë do të njihej si personi, që sipas Tom Doshit ishte paguar që ta ekzekutonte.

Durim Bami në një fragment të video-përgjimit të publikuar nga Tom Doshi

“Po ju paraqes një video me të vërteta të frikshme për realitetin shqiptar. Një video që do tregojë kush na udhëheq dhe sa të sigurt e kemi jetën. Një video që do nxjerrë lakuriq deklaratat e deritanishme të shtetit. Prita deri sot reagimin e të gjitha institucioneve. I lejuam porositësit të vrasjes të tregonin edhe njëherë sa frikë kanë nga e vërteta. Manipuluan dëshmitarin, fshehën të vërtetën, akuzuan njerëz pa asnjë lidhje me vrasjen. Nxirreni vetë përfundimin se kush thotë të vërtetën”, deklaronte

Bami ishte ndaluar nga policia para se Tom Doshi të publikonte videon në fjalë. Në dëshminë e parë të dhënë para Prokurorisë ai dha një tjetër version nga ai që pretendonte Tom Doshi.

Akuzat e Tom Doshit nuk ishin bërë publike deri në momentin kur ai u përjashtua nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Përjashtimi mbërriti si ndëshkim ndaj deputetit pas serisë së përplasjeve dhe deklaratave të tij për punën e qeverisë dhe nevojës së ndryshimeve në kabinet. Ilir Meta, si partner në koalicionin qeverisës, e përshëndeti këtë vendim të socialistëve dhe akuzoi Tom Doshin për sajesa dhe vuri në dyshim shëndetin e tij mendor.

Mark Frroku gjatë gjykimit

Situata përfundoi në Gjykatën për Krimet e Rënda. Në lojë u përfshi edhe Mark Frroku, emrin e të cilit Tom Doshi e nxorri si “burim të informacionit” të tentativës për eleminimin fizik të tij, por edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i cili kishte patur disa biseda me Durim Bamin.

Së bashku me Durim Bamin e Tom Doshin, Prokuroria mori në pyetje edhe Mark Frrokun. Ndaj këtij të fundit u hap pak kohë më vonë edhe një dosje e hershme për një vrasje në Belgjikë, por edhe ajo e ndërtimit pa leje edhe evazionit fiskal.

Tom Doshi ka thënë se nga biseda me Durim Bamin ka mësuar se vrasja ishte porositur nga Ilir Meta, në atë kohë Kryetari i Kuvendit, nëpërmjet një personi të quajtur Fatjon Skënderi. Ky i fundit administronte një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Por, para autoriteteve, sipas një pjese të dosjes të publikuar në qershor të këtij viti, Durim Bami është tërhequr duke refuzuar të futej në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe duke kërkuar menjëherë nisjen e procedurave hetimore, pasi ka thënë se gjithçka që është thënë në videon e publikuar nga Tom Doshi ishte një sajesë.

Në të tilla kushte, nga akuzues, Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami u kthyen shpejt në të pandehur. Mark Frroku ndoqi pjesën më të madhe të këtij procesi nga qelia, ku vuante dënimin e dhënë për ndërtim pa leje dhe evazion fiskal, ndërsa Tom Doshi sërish nga Parlamenti, edhe pas zgjedhjeve të 2017, kur u rizgjodh nën siglën e Partisë Socialdemokrate po në Qarkun e Shkodrës.

Saga mbi 3-vjeçare e kësaj çështje u mbyll pa shumë bujë këtë të mërkurë. Tom Doshi u shpall i pafajshëm, ndërsa Mark Frroku dhe Durim Bami u gjetën fajtorë, por pavarësisht kësaj nuk do të kryejnë asnjë ditë burg. Frrokut iu pezullua dënimi me 1 vit e 4 muaj në shërbim prove, ndërsa Durim Bami gjatë paraburgimit e ka tejkaluar masën e dënimit dhe për rrjedhojë quhet që e ka shlyer dënimin.

Durim Bami gjatë shoqërimit nga policia për në Gjykatën e Krimeve të Rënda

Gjykata fajësoi Frrokun dhe Bamin për fabrikimin e tentativës së vrasjes së Tom Doshit dhe persona që kanë konsumuar veprën penale të kallëzimit të rremë. Sa i takon Tom Doshi, gjykata justifikoi veprimet e tij denoncuese duke thënë se ai ishte në rolin e personit që i rrezikohej jeta.

Prokuroria kishte kërkuar dënimin me nga një vit burg për deputetin Tom Doshi, ish-deputetin Mark Frroku dhe shtetasin Durim Bami në akuzë për “kallëzim të rremë” lidhur me atentatin e supozuar ndaj deputetit Doshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë