Ne rrjet

Sa para ka mbledhur BE-ja për Serbinë, Bosnjën dhe Maqedoninë?

Vendet anëtarë, OJQ dhe donatorë të ndryshëm janë mbledhur sot në Bruksel për të ndihmuar Shqipërinë në misionin e saj të vështirë për rimëkëmbjen pas tërmetit të 26 nëntorit. Fatura e rindërtimit arrin në rreth 1 miliardë euro. Për të ndihmuar qeverinë shqiptare të përballojë kostot e tragjedisë, Komisioni Europian po organizon një konferencë donatorësh, me shpresën se shuma që do të mblidhet do të jetë e mjaftushme për përballimin e dëmeve.

Kjo nuk është hera e parë që BE-ja organizon një konferencë donatorësh për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ndihmuar më herët Serbinë, Bosnjën apo Maqedoninë e Veriut të rimëkëmben pas tragjedive natyre apo konflikteve.

Përmbytjet e vitit 2014 në Serbi, Gazeta Si, 2020

Më 16 korrik të  vitit 2014, Bashkimi Europian mbajti një konferencë për mbledhjen e fondeve për Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën, pasi të dyja vendet u goditën nga përmbytje vdekjeprurëse.

Në maj të vitit 2014, moti i rëndë dhe përmbytjet e mëdha goditën rajone të tëra të Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë, duke shkaktuar dhjetëra viktima në të dyja vendet dhe shkatërrimin e mijëra shtëpive. Dëmet dhe humbjet ekonomike arrinin në rreth 2 miliardë euro në Bosnjë Hercegovinë dhe 1.5 miliardë euro në Serbi.

Përmbytjet e vitit 2014 në Serbi, Gazeta Si, 2020

Pas katastrofës, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina i kërkuan ndihmë bashkësisë ndërkombëtare. Konferenca ilustroi edhe njëherë solidaritetin, pasi Bosnja arriti të merrte 809.2 milion euro donacione dhe Serbia 995.2 milion euro. Po ashtu BE-ja ndau 41.4 milion euro  për aktivitete ndërkufitare gjatë kësaj konference.

Por kjo nuk ishte hera e parë që BE-ja do të organizonte një konferencë donatorësh për Bosnjë Hercegovinë, pasi në vitin 1998, Brukseli zyrtar do të mblidhte miliona euro për rimëkëmbjen e saj pas luftës. BE-ja mblodhi 400 milion euro për rindërtim dhe 200 milion euro për reformat ekonomike dhe demokratike në Bosnjë.

Lufta në Bosnjë, Gazeta Si. 2020

Në këto konferencë, SHBA-ja dhuroi 475 milion euro për rindërtimin në Bosnjë dhe 80 milion euro u dhuruan nga shtetet arabe në Konferencën Islamike. Japonia dhuroi 40 milion euro në grante dhe 150 milion euro kredi u dhanë nga Banka Botërore.

Ndërkohë, në vitin 2002, Bashkimi Europian do të mbante një tjetër konferencë për një nga vendet e rajonit, Maqedoninë e Veriut.

Në 2001-in, në vendin fqinj kishte shpërthyer konflikti i armatosur mes shqiptarëve dhe maqedonasve, duke e çuar Maqedoninë në prag të luftës civile. Pas përfundimit të konfliktit dhe uljes së tensioneve, Brukseli organizoi një konferencë ndërkombëtare donatorësh për Maqedoninë. Konferenca e organizuar nga Banka Botërore dhe Bashkimi Europian çoi në mbledhjen e 573 milion eurove për të ndihmuar në rindërtimin e Maqedonisë pas konfliktit. Disa nga fondet shkuan për zbatimin e planit të paqes që i dha fund kryengritjes.

Konflikti i armatosur në Maqedoninë e Veriut, Gazeta Si, 2020

Shkupi mori 307 milion euro brenda disa ditësh, ndërkohë që donatorët dhanë edhe 271 milion euro shtesë për zhvillim ekonomik në vend. Holanda, Gjermania dhe Japonia ishin donatorët më të mëdhenj për Maqedoninë e Veriut.

Por Bashkimi Europian nuk ka mbajtur konferenca donatorësh vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2016, përfaqësuesit e vendeve të BE-së, organizatat ndërkombëtare, bizneset dhe OJQ-të u mblodhën në 4 shkurt në Londër për dhurimin e fondeve për Sirinë e shkatërruar nga lufta.

Konferenca mblodhi rreth 10 miliardë dollarë falë donacioneve të BE-së, që dha 3.3 miliardë dollarë, atyre të SHBA-së, vendeve arabe dhe Kombeve Bashkuara. Mbretëria e Bashkuar dhuroi një shtesë prej 1.7 miliardë dollarësh, Gjermania 2.6 miliardë dollarë dhe Franca tha që do të jepte 1 miliard dollarë.

Lufta ne Siri, Gazeta Si, 2020

Australia, Belgjika, Italia, Polonia, Japonia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Austria, Zvicra, Estonia, Danimarka dhe Finlanda, së bashku me Bankën Botërore dhe Bankën Europiane të Investimeve, ishin midis atyre që gjithashtu dhuruan fonde shtesë.

Megjithatë, një nga konferencat më të suksesshme të organizuara nga BE-ja ka qene ajo për rimëkëmbjen e Nepalit pas luftës dhe tërmetit.

Donatorët dhuruan 4.4 miliardë dollarë ndihma për ofertën e rimëkëmbjes së Nepalit gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Rindërtimin. Nga shuma e përgjithshme, donatorët premtuan 2,2 miliard dollarë në grant, ndërsa pjesa tjetër prej 2,2 miliard dollarë në kredi.

Në konferencën e organizuar për të mbledhur fondet për rindërtimin e kombit të shkatërruar nga tërmeti vdekjeprurës i 25 Prillit dhe luftimeve të mëvonshme, India njoftoi shumën më të madhe të ndihmave me 1 miliardë dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë