Jete & Stil

Sa na ndihmojnë kafshët shtëpiake ndërsa punojmë nga shtëpia

Nëse do të na thonin një vit më parë se do të punonim me një kafshë shtëpiake që ulet në laptop apo dhe nuk të lë të shkruash, do të na dukej qesharake dhe do qeshnim. Por 2020 ka ndryshuar rregullat.
Shumë janë duke punuar nga shtëpia dhe një anë pozitive e kësaj është se njerëzit që kanë një kafshë shtëpiake po kalojnë më shumë kohë me to.
Në fakt, për shumë prej tyre, shoqëruesit me katër këmbë janë bërë bashkëpunëtorët e rinj. Një studim nga Cats Protection, një organizatë në Britani anketoi rreth 700 persona që kanë kafshë shtëpiake dhe punojnë nga shtëpia për të zbuluar më shumë në lidhje me këtë marrëdhënie unike pune. Nga të anketuarit, 63% thanë se macja e tyre i qetësonte, ndërsa 23% thanë se ishin më pak të vetmuar për shkak të tyre.
Më shumë se gjysma (53%) thanë se kishin parë macen e tyre duke bërë diçka komike siç ishte ecja nëpër laptop ndërsa punonin dhe kjo i kishte gëzuar.
Gjithashtu, në vend të një miku, disa madje po i drejtohen maces së tyre për një bisedë serioze, me katër në dhjetë njerëz që thanë se diskutuan problemet e punës me macen ose qenin e tyre.
Por çfarë saktësisht është ajo që i bën kafshët shtëpiake kaq të dashura për ne veçanërisht kur punojmë nga shtëpia? Jo Hemmings është një psikologe e sjelljes e cila ka punuar me nutricionistet e kafshëve shtëpiake në nxjerrjen në pah të përfitimeve dhe "grackave" të punës së bashku me kafshët shtëpiake.
"Thjesht krijon një ndjenjë të normalitetit dhe jetës. Një nga gjërat në lidhje me kafshët shtëpiake është se për ta çdo ditë është vetëm një ditë tjetër." tha Hemmings
Ajo tha se ka diçka mjaft ngushëlluese në lidhje me një kafshë pasi nuk kanë një ide për gjërat që mund të na stresojnë të gjithëve. Është shumë qetësuese të kesh atë perspektivë të thjeshtë.
"Kafshët vazhdimisht jetojnë momentin dhe t'i kesh pranë siguron një kujtesë të dobishme për të bërë të njëjtën gjë në një botë ku lehtë mund të shqetësohemi për atë që mund të ndodhë në të ardhmen." tregon ajo
Jo gjithashtu beson se kafshët shtëpiake janë më të lumtura se kurrë tani që po punojmë më shumë nga shtëpia. Jo ka një mace që i pëlqen të ulet afër ndërsa është duke punuar, ndonjëherë edhe në divanin e klientit që ajo përdor për seanca këshillimi.
Ajo beson se ka diçka shumë të veçantë midis njerëzve dhe kafshës së tyre shtëpiake. 
"Ato ulin nivelet e kortizolit dhe adrenalinës në qarkullimin tuaj të gjakut, duke mbajtur ankthin nën kontroll, duke e mbajtur situatën pak më të qetë." tha ajo.
Për cilindo që ka pasur qen ose mace të tyre që kanë ndërprerë një takim në Zoom, ju gjithashtu e dini që kafshët shtëpiake janë një fillestar i shkëlqyeshëm i bisedave dhe shpesh thyejnë akullin kur takojmë njerëz të panjohur.
Burimi: Mirror. Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë