Treg

Sa kushton një punëtor i huaj që vjen në Shqipëri?

Nga Gazeta 'Si' - Në kushtet e mungesës së punonjësve vendas, rekrutimi i atyre të huaj nga bizneset shqiptare po rezulton një proces me kosto të larta.

Madje këto para shpesh po konsiderohen të çuara dëm sipas tyre sepse pjesa më e madhe vijojnë të përdorin Shqipërinë si trampolinë drejt vendeve të BE-së dhe të mos zbatojnë kushtet e kontratës.

Duke nisur nga pajisja me vizë e aplikimi për leje deri tek akomodimi, sipas llogaritjeve të Gazetasi.al një biznes duhet të paguajë nga 850-1000 dollarë për rekrutimin e vetëm një punonjësi të huaj.

Këtë e pohon edhe Edvin Prençe, kreu i Shoqatës “Pro Export” dhe përfaqësues i një nga sektorëve që po ndjen më shumë krizën, me rreth 20 mijë vende vakante.

“Kostot janë goxha të larta po të llogarisim se që në fillim kemi ato burokratike duke nisur që nga aplikimi për lejen dhe vizën, në rreth 400 dollarë. Pastaj është pagesa e agjencisë ndërmjetëse për të sjellë punëtorin, transporti dhe akomodimi që parashikon vetëm gjetjen e një ambienti fjetieje dhe që sigurohet po nga biznesi.

Pagesë që në total shkon deri 1000 dollarë”, thotë Prençe për Gazetasi.al ndërsa shton se pasi vijnë në Shqipëri ato paguhen rreth 400 dollarë, njëjtë me punonjësit aktualë në mënyrë që të mos ketë diferencime.

Në një situatë të tillë, ku shpesh ekziston risku që ato të mos qëndrojnë më shumë se një muaj në Shqipëri, Prençe thotë se bizneset po detyrohen vetë që të bëjnë akorde bashkëpunimi me vende si Nepali në mënyrë që të shmangin agjencitë ndërmjetëse dhe të minimizojnë disi kostot.

Veç shpenzimeve të dukshme, marrja e punonjësve të huaj shoqërohet shpesh me kosto të mëdha edhe në kohë.

“Kemi kërkuar thjeshtësimin e praktikave për lejet e punës dhe vizat të cilat që nga data 7 shkurt janë unifikuar dhe tashmë kjo procedurë mund të zgjasë deri në 12 ditë, ndryshe nga më parë kur ishte shumë e koklavituar dhe duhej të prisnim gjatë.

Por megjithatë është e rëndësishme që të bëhen lidhje në nivel institucional në mënyrë që punonjësit të respektojnë të gjitha afatet edhe kushtet e kontratës”, thotë më tej ai për Gazetasi.al.

Prençe thotë se bizneset po detyrohen vetë që të bëjnë akorde bashkëpunimi me vende si Nepali

Ai deklaron se një pjesë e këtyre punonjësve që kanë ardhur, prurje që ka qenë në linjë të drejtëpërdrejtë mes biznesit dhe agjencive të shteteve të tyre, kanë rezultuar seriozë dhe me formim profesional.

“Për punonjësit filipinas ka patur aplikime dhe sot e kësaj dite vazhdojnë e punojnë në Shqipëri. Deri tani kanë ardhur më shumë se 120 punonjës nga Nepali ku të dyja palët, si bizneset pritëse ashtu dhe punonjësit janë shumë të kënaqur përsa i takon raportit midis tyre dhe produktivitetit që ato kanë”, vijon më tej ai duke shtuar se ata nuk kanë probleme familjare dhe gjithashtu janë anglishtfolës të mirë.

Por e kundërta ndodh për punonjësit nga Bangladeshi, të cilët shpesh bizneset i kanë konsideruar një dështim.

Një pjesë e mirë e tyre qëndrojnë në Shqipëri deri në tre javë dhe më tej largohen drejt shteteve perëndimore si Franca, Belgjika, Gjermania e Suedia.

Për emigrimin drejt Europës, Gazetasi.al ka shkruar edhe para disa kohësh ku shpjegoi se duke qenë se Shqipëria është një shtet shumë afër vendeve të zhvilluara, punonjësit që ofrohen për punë, do e përdorin këtë mundësi për të emigruar pas pak muajsh në një vend më të zhvilluar europian.

Punësimet e grave po rezultojnë më të suksesshme se marrja e burrave, pasi është shumë herë më i vogël risku për largimin e tyre, ndërsa garancia e dhënë nga ambasadat e shteteve përkatëse, për kontratat e rekrutimeve është një element shtesë për moslargimin e tyre.

Sipas edhe vetë bizneseve, është e qartë që punëtorët nga vendet e varfra që vijnë në Shqipëri janë vetëm një ndihmë e përkohshme dhe dëshmi që për sa kohë Shqipëria është një destinacion, aq kohë vendi ynë do ndihet në krizë për njerëz që punojnë.

Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive tregojnë se numri i të huajve që pajisen me leje pune po rritet ndjeshëm.

Pjesa më e madhe e tyre janë punësuar në industrinë përpunuese, ndërtim, bujqësi, peshkim, tregti apo informacion dhe komunikim.

Kriza e punonjësve dhe “nazet” nisën si pjesë e rimëkëmbjes ekonomike post-pandemike në të gjithë botën që në 2021-shin dhe u reflektuan shpejt edhe në Shqipëri.

Në një anë kërkesa u rrit, tregjet e punës kishin pafund vende të lira por oferta u lëkund. Shumë shqiptarë zgjodhën të ikin dhe zgjidhja në vend u kërkua tek këmbimi i forcave të punës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë