Njerez

Sa e trishtueshme është kur prindërit fokusohen mbi telefona gjatë një vakti

Në një vakt familjar, një grua pa një situatë që për të ishte e trishtueshme dhe e papranueshme.

Ajo ia tregoi ngjarjen gazetares së “Washington Post” Carolyne Hax, me një pikëpyetje të madhe se “çfarë ka ndodhur me familjet e kohëve të sotme?”

“Përshëndetje Caroline! Unë shkova për mëngjes në një restorant familjar. U ula një tavolinë pas një familje prej 4 personash, nëna, babai dhe dy djem rreth 8 dhe 10 vjeç.

Secili nga prindërit mbante celularët në dorë. Djemtë nuk kishin celularë. E vetmja herë kur nëna ngriti sytë nga telefoni i saj ishte të porosiste dhe herë pas here, kur hante. E vetmja herë kur babai i ngriti sytë nga telefoni ishte kur shikonte telefonin e gruas së tij.

Nuk kishte asnjë kontakt mes prindërve dhe fëmijëve. As djemtë nuk folën fare me njëri-tjetrin. Ishte shumë pamje e trishtueshme. Çfarë po ndodh me familjet në kohën e teknologjisë?”

Hax iu përgjigj duke i thënë se edhe pse është një pamje e zymtë, “ne nuk e dimë se si është situata në të vërtetë”.

Mund të duket si një pamje e dy prindërve të varur nga telefoni dhe fëmijë që nuk bisedojnë por kjo mund të mos jetë e vërtetë.

“Ndoshta ajo që ti pe si neglizhencë ishte një vakt paqësor në një familje që e shijojnë vaktin në qetësi. Ndoshta ato ishin në ditën e fundit të pushimeve dhe në atë moment nuk kishin asgjë për të folur”, thotë Hax duke shtuar se mund të ketë dhe shumë arsye të tjera që shpjegojnë atë pamje.

Një arsye tjetër mund të jetë se prindërit janë munduar të mbyllin shpejt punët e tyre për të kaluar më pas gjithë ditën me fëmijët.

“Mund të kenë rënë dakord duke thënë: Të punojmë sa të mbarojmë mëngjesin dhe pastaj të qëndrojmë bashkë”.

Ose mund të ishin duke kërkuar një muze apo shtigje ecjeje për fëmijët.

Ndoshta po shfrytëzonin momentin për të vendosur të gjitha vendet që do vizitonin atë ditë dhe këtë sigurisht që do e bësh me telefon.

Hax thotë se një pamje ka gjithmonë vend për interpretim por përsëri pse mos të mundohen të gjithë që të shohin anën pozitive, në mënyrë që mos të krijohet panik se janë shkatërruar familjet e ditëve të sotme.

Burimi: Washington Post. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë