Lajme

Raketat e famshme ruse mbërrijnë në Serbi

S-400, sistemi i famshëm rus i mbrojtjes raketore ka ardhur për herë të parë në Ballkan. Një bateri e këtij sistemi ka parakaluar në Beograd të Serbisë si pjesë e një stërvitjeje të përbashkët ushtarake mes ushtrisë serbe dhe asaj ruse. Së bashku me S-400, në Serbi janë dërguar edhe raketat e mbrojtjes ajrore, Pantsir-S.

Zhvendosja e këtyre raketave në Serbi u bë në kuadër të stërvitjes së përbashkët serbo-ruse, “Mburoja Sllave 2019”. Stërvitja ka nisur ditën e mërkurë, por vetëm të enjten u bënë publike detajet se në këtë trajnim merrte pjesë edhe një bateri S-400.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç vizitoi ditën e premte komandën e përbashkët serbo-ruse, që drejton këtë stërvitje, e cila mbyllet më 29 tetor. Vuçiç vlerësoi si “sureal” sistemin mbrojtës raketor rus.

“Nuk kam parë kurrë diçka të ngjashme më parë. E kemi parë në televizor, në foto, apo nëpër aeroporte kur kam vizituar Rusinë, por t’i shohësh nga afër janë si përrallë”, citohet ai nga mediat në Beograd.

Të njëjta burime thonë se në fund të kësaj stërvitjeje, sistemi i mbrojtjes raketore, S-400 do të rikthehet në Rusi, ndërsa Pantsir-S do të mbahet nga ushtria serbe. Ka një amulli nëse ky sistem po blihet nga Beogradi, apo është një dhuratë ruse për besnikërinë e serbëve.

Zyrtarisht, Serbia është ushtarakisht neutrale që prej vitit 2006, ndërsa në 2015 Beogradi nënshkroi marrëveshjen e partneritetit për paqen me NATO-n, por duke theksuar se nuk kërkon asnjëherë anëtarësimin e plotë në aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë