Futboll

Ruxheri sulmon Pike: Lojtar mesatar, mjekrën dhe gruan i ka të bukura

Oskar Ruxheri sulmon ashpër mbrojtësin e Barcelonës, Zherard Pike. Duke folur për “Fox Sports Argentina”, ish-mbrojtësi i Real Madridit dhe kombëtares argjentinase, ka dhënë opinionin e tij në lidhje me lojtarin e katalanasve, duke mos i kursyer aspak kritikat. Në anën tjetër, nuk ka si të mos thurë elozhe për kapitenin e madrilenëve, Serxho Ramos, të cilin e konsideron më të mirin në botë.

“Pike është një lojtar i dorës së dytë. Është ashtu siç kam qenë unë dhe shumë të tjerë. Ka një pamje të bukur, sigurisht. Ka një mjekër të bukur dhe një bashkëshorte të famshme (Shakira), por nëse do të luante te Valencia, nuk do të ishte i famshëm si tani me Barcelonën”, - ka thënë Ruxheri.

Oskar Ruxheri me fanellën e Argjentinës. Gazeta Si, 5 gusht 2020

Më tej argjentinasi ka shtuar: “Pike po luan me Barcelonën, por është pikërisht një lojtar si unë, një lojtar i nivelit të mesëm. Është një mbrojtës i mirë, por vetëm kaq. Praktikisht, ai nuk ka asnjë presion, duke qenë se luan me Barcelonën. Duket qartë në ndeshjet me skuadra të mëdha. Serxho Ramos, në këtë sens, është pa dyshim mbrojtësi i qendrës më i mirë në botë”. Kohët e fundit Pike është kritikuar jo pak herë për lojën e tij edhe nga shtypi sportiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë