Analize

Rusia sfidon Amerikën në “oborrin e shtëpisë” së saj!

Personeli i Forcave Ajrore ruse qëndron para një avioni bombardues supersonik pas uljes në aeroportin ndërkombëtar të Maiquetia, në veri të Caracas

Ndërhyrja e Rusisë në Venezuelë nuk ka të bëjë vetëm me shpëtimin e një diktatori si Nikolas Maduro. Ajo është një sfidë kundër Amerikës, në “oborrin e shtëpisë së saj” dhe një shenjë se dy fuqitë e mëdha janë në kërkim të një fushëbeteje të re.

Ashtu si Donald Trump, edhe Vladimir Putin dëshiron ta bëjë Rusinë madhështore sërish. Por për të madhështia nuk është asgjë më shumë sesa përhapja e ndikimit rus jashtë kufijve të vendit të tij.

Për shembull, javën e kaluar Putin mbajti një samit me diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Takimi nuk pati asnjë ndryshim thelbësor në politikën e jashtme mes dy vendeve, por lejoi presidentin rus të demonstrojë se sa herë ka bisedime të nivelit të lartë, ai është i ulur përballë SHBA-së në tryezë. Ai po luan të njëjtën lojë edhe në Venezuelë ku ka shpëtuar nga gremina Nikolas Maduro në momentin e fundit.

Tanimë Administrata e presidentit Donald Trump ka nisur një betejë të pashembullt me Rusinë mbi Venezuelën, ndërkohë që ekspertët paralajmërojnë se kjo krizë kërcënon të rikthejë botën në vitet e tensionuara të Luftës së Ftohtë.

Të dy palët akuzuan ashpër njëra-tjetrën pasi kreu i opozitës venezueliane Juan Guaidó i bëri thirrje publikut dhe ushtrisë të ngrihen dhe të rrëzojnë Maduron. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo kërcënoi me aksione ushtarak dhe akuzoi Rusinë se kishte bindur Maduron të qendronte në zyrë në vend që të ikte në Kubë.

Nicolas Maduro

Një telefonatë midis diplomatëve më të lartë të dy vendeve të mërkurën, zbuloi se SHBA kishte kërcënuar të ndëshkonte Rusinë për sjelljen e saj "destabilizuese", ndërkohë që Kremlinit i kishte konsideruar veprimet e Amerikës në Karakas si "shkeljen më të ashpër e ligjit ndërkombëtar. "

Kriza ka të ngjarë të kthehet në konfrontimin e parë madhor mes presidentit Donald Trump dhe Vladimir Putin, ndërkohë që kreu i Shtëpisë së Bardhë po përgatitet për kandiduar për mandatin e tij të dytë.

"Venezuela është në hemisferën tonë, është vendi i fundit ku rusët duhet të ndërhyjnë," u tha gazetarëve të mërkurën Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton. "Ky është një gabim strategjik nga ana e Moskës", deklaroi ai. Bolton u shpreh se interesi i Amerikës në Venezuelë është unik për shkak të vendndodhjes së saj në hemisferën perëndimore. Ai i është referuar në mënyrë të përsëritur Doktrinës Monroe, e cila përcakton se SHBA-ja nuk do të tolerojë ndërhyrjen e huaj në Hemisferën Perëndimore,

Analistët thonë se përplasja e Rusisë dhe SHBA-së për Venezuelën ka të ngjarë të përshkakllëzohet, duke qenë se bëhet fjalë për të një vend mjaft të pasur me naftë. Dhe duke pasur parasysh mbështetjen e Rusisë për diktatorin sirian Bashar Al-Assad, Maduro nga ana tjetër e ka të qartë se Moska është aleatja më e mirë që mund të ketë në krah.

Në kryeqytetin e Venezuelës protestuesit kundër Maduro kanë dale prej tre ditësh në rrugë në mbështetje të zotit Guaido. Por, sipas raporteve të medias, shumë mbështetës të presidentit dolën po ashtu në rrugë, duke çuar në vdekjen e të paktën katër personave.

Zyrtarët amerikanë thonë se Kuba ka dërguar mijëra trupa në Venezuelë, ndërsa Rusia ka dërguar rreth 100 këshilltarë ushtarakë për të ndihmuar Maduro, megjithëse ekspertët kanë thënë se numri i saktë i trupave të dërguara nga Moska është i vështirë të përcaktohet.

SHBA duket se nuk e kishte parashikuar mundësinë që Rusia të përfshihej në mënyrë kaq dramatike, por ekspertët thonë se ky vendim nuk ishte surprizë. Rusia është një mbështetëse e madhe e Maduros dhe marrëdhëniet e mira me vendet e Amerikës Latine janë të një rëndësie të madhe për Putin, pasi i japin hapësirë manovrimi në hapësirën strategjike të SHBA-së.

"Venezuela është një vend i pasur me burime minerale. Rusia do donte ta shikonte jashtë ‘oborrit’ amerikan ", thotë Molly McKoe, eksperte në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Pompeo deklaroi të martën se Maduro ishte duke u përgatitur për larguar dhe madje kishte një aeroplan gati për në Havana, por Rusia e kishte bindur të qëndronte. Ai paraljamëroi se nëse është e nevojshme, Shtetet e Bashkuara do të ndërhynë ushtarakisht.

Ndërkohë, Sekretarit në detyrë i Mbrojtjes, Patrick Shanahan, anuloi një udhëtim në Europë për t'u fokusuar plotësisht tek Venezuela. Ai u tha ligjvënësve amerikanë se nëse presioni diplomatik dhe ekonomik nuk e detyroj Maduron të largohet, administrata Trump do të ndërmerrte një sërë sanksionesh financiare ndaj sektorit të naftës. Ai shtoi se SHBA-ja është e përgatitur për një sërë skenarësh.

John Bolton

Vetë Trump nuk ka thënë asgjë këtë javë për rolin e Rusisë në Venezuelë, duke u përqendruar më shumë tek Kuba, duke forcuar embargon e SHBA ndaj Havanë. Ndonëse Trump ka thënë në të kaluarën se Rusia "duhet të dalë" nga Venezuela, hezitimi i tij për ta përsëritur këtë fjali këtë javë mund të jetë një shenjë se presidenti është i shqetësuar për implikimet politike të rritjes së rolit të Amerikës në Venezuelë.

Edhe pse Trump ka kërcënuar të ndërmarrë veprime ushtarake në Venezuelë në të kaluarën, ai në përgjithësi ka kundërshtuar dërgimin e trupave amerikane jashtë shtetit. Ideja për të dqërguar trupa amerikane në Venezuelë mund të zemërojë vendet e tjera të Amerikës Latine, të cilët deri më tani kanë mbështetur qasjen e SHBA-së. Shumë qytetarë të Amerikës Latine janë të shqetësuar nga prirja e Amerikës për të ndërhyrë në vendet e tyre, duke përfshirë edhe mbështetjen për grushtet e shtetit.

Ndihmësit e Trump këmbëngulin se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke u përpjekur të orkestrojnë një grusht shteti kundër Maduros, por opinioni publik vazhdon të mbetet i ndarë.

" Grusht shteti është prania e Kubës dhe Rusisë, të cilat po drejtojnë tanimë çështjet kryesore të qeverisë së Venezuelës", tha Bolton gazetarëve të mërkurën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë