Bota

Rusia rrëzon dy dronë në drejtim të Moskës. SHBA dërgon armë të reja në Kiev

Gazeta Si - Këtë e ka bërë të ditur kryetari i bashkisë së kryeqytetit rus, Sergey Sobianin në Telegram, ndërsa sulmet e këtij lloji ndaj kryeqytetit rus janë duke u shumuar.

“Kemi kapur dy dronë luftarakë që tentonin të hynin në qytet. Të dy u rrëzuan nga mbrojtja jonë ajrore. Njëra në zonën Domodedovo, në jug të kryeqytetit, e dyta në zonën e autostradës për në Minsk”, në perëndim të Moskës, tha kryebashkiaku.

Autoritetet ruse thanë se nuk ka “viktima e as dëme”.

Kievi, që shmang konfirmimin e sulmeve të mundshme në territorin rus, ende nuk ka reaguar për këto pretendime të Moskës.

Javëve të fundit janë shpeshtuar pretendimet e autoriteteve ruse për sulme të dyshuara ukrainase në Moskë apo në gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara po përgatiten të njoftojnë një dërgesë të re armësh në Ukrainë për të kryer kundërofensivë deri në fund të kësaj jave. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby tha për CNN.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka miratuar trajnimin e pilotëve ukrainas për avionët luftarakë F-16: Zëvendës zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh e bëri të ditur lajmin në një konferencë me mediat. Edhe departamenti i Mbrojtjes e raporton këtë në faqen e saj të internetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë