Kosova

Rusia, fletë arresti për zyrtarët e Policisë së Kosovës, Sveçla: Prej tyre s’pritet asgjë mirë

Nga Gazeta ‘Si’ - Tre zyrtarë të njësive elitare të Policisë së Kosovës janë futur në sistemin e kërkimit të Interpolit, pas kërkesës së shtetit rus.

Në këtë listë bëjnë pjesë shefi i njësitit elitar të Policisë së Kosovës, ‘FIT’, Alban Jetullahu, shefi i ‘RSU’, Besart Ahmeti, si dhe një zyrtar tjetër i Policisë së Kosovës.

Të tre ata kërkohen për arrestimin e një shtetasi rus në veri të Kosovës në maj të vitit 2019.

Më 31 maj të vitit 2019, Policia e Kosovës gjatë një aksioni në veri të Mitrovicës kishte arrestuar 19 pjesëtarë të policisë të cilët kanë qenë të dyshimtë, 10 qytetarë që kanë qenë të dyshuar, 9 qytetarë të tjerë të cilët kanë penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës si dhe 1 zyrtar të UNMIK-ut, me nënshtetësi ruse.

Sipas njoftimit të atëhershëm të Policisë së Kosovës dyshohej se pas një rezistence të armatosur me armë zjarri nga persona të dyshimtë në veri dhe vendosjen e disa barrikadave shtetasi rus kishte ndihmuar protestuesit e dhunshëm.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar sot(4 mars) se është informuar zyrtarisht për fletë-arrestin ndërkombëtar ndaj komandantit të Njësisë Speciale, Besart Ahmeti.

“Prej Rusisë nuk pritet asgjë mirë, Besarti është mirë… e dimë, e kemi informatën zyrtare por nuk është ajo brenga as e imja, as e Besartit”, deklaroi Sveçla para mediave kosovare.

Fletë arrestet e Rusisë ndaj pjesëtareve të Policisë së Kosovës vijnë pak muaj pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë dhe si kundërpërgjigje ndaj flet-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i për kryekriminelin serb të veriut, Milan Radoiçiç dhe disa pjesëmarrës të tjerë në sulmin terrorist në Banjskë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë