Analize

Rusia po merr Detin e Zi!

Konfrontimi i fundit midis anijeve ruse dhe atyre ukrainase në Detin e Azov, gjatë të cilit Rusia ndaloi anijet ukrainase të hynin në Ngushticën e Kerçit dhe në qytetin ukrainas të Mariupolit, vërtetoi frikën më të madhe të ekpertëve: Rusia po merr kontrollin e Detit të Zi.

Moska ka qënë duke testuar prej kohësh reagimin e Ukrainës duke ndërmarrë akte agresive në Detin e Zi dhe duke provokuar herë pas herë me deklarata politike Kievin. Por përplasja në Krime ishte pjesë e një strategjie shumë më të gjerë të Rusisë, e cila jo vetëm ka ndaluar disa anije ukrainase, por edhe ka shkelur në mënyrë të konsiderueshme zonën ekonomike ekskluzive të Ukrainës. Që nga maji, Rusia ka ndaluar dhe vonuar transportin në rajon, duke imponuar kosto të konsiderueshme për anijet që transportojnë në portet ukrainase. Ajo ka konfiskuar gjithashtu një sërë fushash gazi detar në Detin e Azov dhe në Detin e Zi, të cilat i përkasin Ukrainës dhe ka nxjerrë rreth 7.2 miliard metra kub gaz nga këto fusha.

Moska ka interesa të rëndësishme strategjike në Mariupol, një qytet i rëndësishëm që jo vetëm ndodhet në rrugët detare, hekurudhore dhe lumore ukrainase, por gjithashtu pranë Krimesë. Separatistët e mbështetur nga Rusia morën edhe Mariupolin gjatë konfliktit të Ukrainës, por u detyruan të largohen nga trupat qeveritare.

Megjithatë, ngjarjet e kohëve të fundit zbuluan se Moska jo vetëm që nuk ishte larguar kurrë plotësisht nga Mariupoli, por edhe strategjinë e saj për dominimin ushtarak të të gjithë Detit tq Zi. Fuqizimi i Rusisë në Detin e Azovit paraqet ambiciet agresive të Moskës në të gjithë rajonin e Detit të Zi dhe ka implikime të thella për sigurinë rajonale dhe globale.

Veprimet e Moskës kanë ardhur në kontekstin e një rritjeje dramatike të pranisë dhe aftësisë së flotës ruse të Detit të Zi dhe forcave tokësore në Krime nën programin e armatimit shtetëror rus. Rusia tani është duke dislokuar një sërë nëndetëse në rajon. Po ashtu, ajo është duke zhvendosur një sërë pajisjesh për mbrojtjen ajrore dhe bregdetare, duke krijuar kështu një zonë që pengon lirinë e lëvizjes që izolon pothuajse të gjithë Detin e Zi dhe anëtarët e NATO-s si Rumania, Turqia dhe Bullgaria.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu ka mbrojtur prezencën ushtarake ruse në rajon duke thënë se ka Moska për qëllim të neutralizojë kërcënimet s sigurisë kombëtare. Edhe pse tanimë analistët janë tejet të shqetësuar për rrethimin e NATO-s, gjatë dekadës së parë të shekullit 21 ka pasur një sërë bashkëpunimesh midis NATO-s dhe Moskës në rajonin e Detit të Zi. Por pushtimi i Gjeorgjisë nga Rusia në vitin 2008 dhe vendimi i saj për të nisur një luftë në Ukrainën lindore, vranë perspektivat për bashkëpunimin e vazhdueshëm midis Moskës dhe NATO-s.

Fuqizimi ushtarak i Rusisë në rajon gjatë pesë viteve të fundit minon të drejtat dhe interesat sovrane të të gjitha shteteve bregdetare të Detit të Zi, sepse është hartuar për të fuqizuar Moskën dhe aftësinë e saj për të kontrolluar rajonin, duke përfshirë edhe bllokimin e lirisë së lëvizjes në det dhe në ajër. Deri më tani Moska i ka mbrojtur pretendimet e saj në rajon sikur Deti i Zi të ishte një 'liqen rus' në periudhat cariste dhe sovjetike. Por Kremlini duket se e ka të vështirë ta kuptojë se tanimë Rusia është vetëm një nga pesë shtetet sovrane që kufizojnë Detin e Zi.

Agresioni i Rusisë në Detin e Azovit tregon gjithashtu se Moska nuk mendohet dy herë para përdorimit të fuqisë ushtarake për të kontrolluar interesat e saj ushtarake në rajon. Fokusi aktual i Moskës mund të jetë ndalimi i anijeve komerciale në Mariupol, por Rusia ka gjithashtu aftësinë për të përdorur taktika të ngjashme kundër porteve të tjera ukrainase si Odesa, veprime që do të kishin një ndikim të rëndësishëm në ekonominë e Ukrainës. I njëjti rrezik u kanoset edhe vendeve të tjera të Detit të Zi, në veçanti, Rumanisë, e cila po ndjek nga afër zhvendosjen ushtarake të Rusisë rreth Detit të Zi.

Moska e sheh dominimin e rajonit nëpërmjet presionit ushtarak si një mënyrë për të dobësuar aleancën e NATO-s dhe arkitekturën e sigurisë europiane, duke detyruar vendet e ish-bllokut sovjetik të kthehen në orbitën e Rusisë. Ndërkohë që Uashingtoni është shumë i zënë me Kinën dhe Europa po copëtohet politikisht dhe ekonomikisht, presidenti Vladimir Putin mund të kërkojë të maksimizojë përfitimet e tij në rajonin e Detit të Zi. Ekspertët ngrenë alarmin se nëse Perëndimi nuk ndërhyn, veprime provokative nga ana e Rusisë do të rriten. Ata thonë madje se forcat ruse mund të vendosen kudo rreth Detit të Zi në të ardhmen e afërt.

Nëse NATO dhe politikëbërësit kryesor në SHBA dhe Europë vazhdojnë t’i japin ndikim dhe autoritet Rusisë në rajonin e Detit të Zi, ata jo vetëm që do të fuqizojnë Putinin, por edhe do të kontribuojnë në zbërthimin e rendit aktual global, nga i cili varet siguria ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë