Propozimi i Hashim Thaçit për “korrigjimin” e kufijve me Serbinë ka nxitur disa media në Prishtinë dhe Tiranë që të hamendësojnë se çfarë ja ndryshoi mendjen Presidentit të Kosovës, që deri para katër muajsh ishte kategorikisht kundër përsa i takon kësaj teme.
Mes lajmeve të publikuara ishte edhe ai i shpërndarë nga “Gazeta Express”, që linte të kuptohej se ideja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë lindi pas takimit mes Presidentit Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin në Helsinki të Finlandës.
Kjo gazetë, në artikullin e saj citonte disa “burime diplomatike”, sipas të cilave Putin kishte garantuar Trump se Beogradi do të njihte pavarësinë e Kosovës nëse territoret veriore ku jetojnë serbët do t’i bashkoheshin Serbisë.
Jehona e këtij materiali mbërriti deri në Moskë dhe mediat ruse e pasqyruan atë gjerësisht. Nisur nga kjo, Ambasada Ruse në Tiranë ka risjellë në kujtesë një reagim të Ministrisë së Jashtme ruse, të datës 27 korrik. Së pari mohohet që në takimin Trump-Putin të jetë diskutuar për Kosovën.
Ngaqë në mediat shqiptare vazhdojnë ende të shfaqen spekulime të ndryshme rreth kësaj teme, dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj reagimin e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, publikuar më 27 korrik:
“Me shumë përgjegjësi pohojmë se ky është një dezinformim absolut, ashtu si edhe spekulimet e tjera të shfaqura ditët e fundit në shtyp rreth disa “marrëveshjeve të veçanta” të arritura në Helsinki”, thuhet në reagim.
Rusia këmbëngul se zgjidhja për Kosovën duhet të bazohet në rezolutën 1244 të OKB-së.
“Rusia mbështet në vazhdimësi procesin e negociatave, këmbëngul në realizimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadrin e tyre dhe kurrë nuk do të përpiqet të diskutojë këtë çështje pas shpinës së palëve”, vijohet më tej.
Përfaqësia diplomatike ruse kërkon që të mos abuzohet me informacione të tilla, që mund të nxisin tension në një rajon të komplikuar si Ballkani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.