Gazeta Si - Xi Jinping pritet të vizitojë Moskës, thotë Ministria e Jashtme ruse. Vizita, njofton agjencia e lajmeve “Tass”, pritet në pranverë dhe tashmë nga propaganda përkufizohet si "një ngjarje madhore në agjendën e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Kinës".
Pekini ende nuk ka konfirmuar: “Ne mbajmë kontakte të ngushta në nivele të ndryshme për të promovuar zhvillimin e dy vendeve, duke kontribuar në zhvillimin paqësor global. Në lidhje me këtë vizitë në veçanti, për momentin nuk kam asnjë informacion për të ndarë”, u përgjigj zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pekinit mëngjesin e kësaj të marte.
Ceremoniali për takimin ruso-kinez, është krijuar për të nënkuptuar që presidenti Xi pranon një ftesë vetëm pas shqyrtimit të kujdesshëm.
Në këtë rrethanë, aspirata e Vladimir Putinit për të dalë nga izolimi, duke u parë përkrah udhëheqësit të Republikës Popullore të Kinës, fuqia e dytë botërore, duket e qartë.
Presidenti rus e bëri ftesën më 30 dhjetor, në një video-telefonatë me kolegun e tij, gjatë të cilit ai shpalli se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës janë "më të mirat në histori".
Ai tha se të dy fuqitë "ndajnë të njëjtin vizion të përballjes me të sfidat më të paprecedent dhe presionet nga Perëndimi”, dhe përfundoi: “Të presim i nderuar President, i dashur mik, të presim pranverën e ardhshme në një vizitë shtetërore në Moskë”.
Më 4 shkurt të vitit të kaluar, Putin ishte në Pekin, tre javë para agresionit kundër Ukrainës.
Ai mori nga miku i tij Xi, deklaratën e "bashkëpunimit pa kufi". Asnjëherë nuk u sqarua nëse Rusia kishte zbuluar shtrirjen e planit të saj të pushtimit atë ditë, apo thjesht kishte diskutuar për një inkursion të kufizuar.
Që atëherë, megjithatë, Xi nuk e ka dënuar kurrë pushtimin dhe në vend të kësaj, ka denoncuar sanksionet e vendosura nga Perëndimi ndaj Moskës.
Por, Kina ka vazhduar ta përkufizojë veten si neutrale në konflikt dhe sipas inteligjencës amerikane nuk ka dërguar furnizime ushtarake "vdekjeprurëse" (siç përcaktohen armët dhe municionet) për miqtë e saj rusë.
Udhëheqës të shumtë perëndimorë, nga Macron te Scholz, kanë bërë thirrje për ndërmjetësim kinez për të paktën arritjen e një armëpushimi midis Rusisë dhe Ukrainës.
Kohët nuk duken të pjekura dhe nuk ka asnjë shpresë që Xi do ta gjejë veten në një iniciativë diplomatike pa sigurinë se do të ketë sukses dhe t'i tregohet botës si garantuesi i ri i paqes botërore.
Megjithatë, Putini ka konstatuar me siguri se bashkëpunimi "i pakufi" me Xi-në në fakt, ka një kufi të saktë: interesin kombëtar kinez që të mos i japë një goditje shkatërruese biznesit të saj shumë miliarda dollarësh me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.
Partia Komuniste Kineze ka qenë shumë e kujdesshme për të mbajtur industritë e saj shtetërore të sigurta nga rreziku i "sanksioneve dytësore": prandaj nuk ka armë, asnjë teknologji me përdorim të dyfishtë për ushtrinë ruse në këto muaj lufte.
Megjithatë, mbulimi politik i ofruar nga Xi ndikoi dhe sigurisht rritja e konsiderueshme kineze në importin e gazit dhe naftës ruse i dha oksigjen ekonomisë së Putinit të shtrënguar nga embargoja perëndimore.
Xi, deri më tani ka luajtur me paqartësi ekstreme. Pasi priti Putinin në Pekin më 4 shkurt, ai u përmbajt nga kthimi i shpejtë i vizitës në Moskë.
Ai u takua personalisht me shokun e tij antiperëndimor të bllokut vetëm shtatorin e kaluar në një terren neutral, në Samarkand.
Dhe me atë rast, e detyroi Putinin të deklaronte se miku i tij kinez kishte "shprehur shqetësim" për çështjen e Ukrainës.
Menjëherë, përsëri, shpresat për një ndërmjetësim kinez u ringjallën (si zakonisht ranë në vesh të shurdhër).
Në nëntor, Xi shkoi në G-20 në Bali, nga i cili Putini duhej të qëndronte larg: ai u takua me Joe Biden dhe vendosi "vijat e kuqe" midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, veçanërisht për Tajvanin.
Nuk duket se Pekini ka ende interes për t'u ekspozuar në frontin ukrainas, me deklarata të forta në favor të një armëpushimi ose duke lënë gjurmët e gishtave në furnizimet e luftës për rusët.
Përtej rritjes së shkëmbimeve tregtare, stërvitjeve të përbashkëta ushtarake (të cilat, megjithatë, tashmë janë rutinë), kufijtë e "bashkëpunimit pa kufi" kanë qenë të dukshëm.
Dhe madje edhe përpara se Xi të pranojë të shkojë në Moskë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të mbërrijë në Pekin në një mision eksplorues për t'u përgatitur për një samit me Joe Biden.
I dërguari amerikan pritet gjatë fundjavës. Njoftimi rus për vizitën shtetërore të Xi-së në pranverë, i cila mbërriti shumë më përpara, mund ta vërë në siklet presidentin kinez, por në përgjithësi mund të jetë gjithashtu një favor për Pekinin: ushtron njëfarë presioni mbi amerikanët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.