Prokuroria e Moskës njoftoi të mërkurën se e ka lëshuar një urdhërarrest për fituesen e Festivalit Evropian të Këngës “Eurovision”, Jamala, e cila ka rrënjë tatare nga Krimea, nën akuzat se ka përhapur informata “të rrëme” për përfshirjen e Forcave të Armatosura të Rusisë në pushtimin e Ukrainës.
Në fillim të këtij muaji, Ministria e Brendshme e Rusisë e futi këngëtaren, emri i vërtetë i së cilës është Susana Dzhamaladinova, në listën e personave të kërkuar.
Më 2016, Jamala e fitoi Festivalin Evropian të Këngës “Eurovision” me një baladë e cila përshkroi dëbimin brutal të tatarëve të Krimeas nga Krimea për në Azinë Qendrore në vitin 1944 nga diktatori sovjetik Joseph Stalin.
Më 2023, Jamala e regjistroi një album me titullin “Krimea”, në të cilin mblodhi këngë të lashta për popullin e vet.
Ajo e ka ngritur zërin vazhdimisht kundër aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014 dhe kundër agresionit të armatosur rus në Ukrainë.
Në prill 2022, Ministria e Jashtme e Rusisë e futi atë në listën e artistëve ukrainas të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi për 50 vjet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.