Makina

Rusia ka nevojë për makina, kështu që po riprodhon një markë të epokës sovjetike

Pasi Renault njoftoi largimin e saj këtë javë nga tregu rus i automjeteve në mes të luftës së vendit me Ukrainën, kryebashkiaku i Moskës njoftoi se fabrika e saj do të përdoret për të rifilluar markën e vjetër të makinave të epokës sovjetike, Moskvich.

Pak e njohur jashtë ish-Bashkimit Sovjetik, Moskvich u themelua rreth vitit 1930 dhe operoi deri në vitin 1991. Ashtu si me shumë marka makinash nga vendet e bllokut komunist, Moskvich luftoi me probleme të cilësisë. Muskovich 408 i viteve 1960, i cili kishte një motor 50 kuaj-fuqi, u citua nga zyrtarët sovjetikë për defekte të shumta, sipas librit "Makina për shokët" nga Lewis Siegelbaum.

Autori e përshkruan atë, thjesht, si një "makinë të tmerrshme".

Pavarësisht këtyre problemeve të vazhdueshme, qeveria sovjetike hyri në një marrëveshje me prodhuesin francez të automjeteve Renault, për të modernizuar fabrikën dhe për të rritur prodhimin në 200,000 makina deri në vitin 1975, sipas librit. Prodhimi përfundoi pasi Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe prodhuesit perëndimorë të automjeteve, si Renault, u zhvendosën. Një pjesë e një ish-uzine të Moskvich u rihap në 2005 si një sipërmarrje e përbashkët midis Renault dhe qytetit të Moskës.

Renault kishte gjithashtu një interes kontrollues në Avtovaz, kompania mëmë e markës popullore ruse të makinave Lada. Në deklaratën e kësaj jave, Renault tha se interesi kontrollues i ishte shitur qeverisë së Rusisë, ndërsa interesi  kontrollues në fabrikën e Moskës, ku prodhoheshin automjetet Renault, i ishte shitur qytetit të Moskës. Renault la të hapur mundësinë e një rikthimi në tregun rus më vonë.

"Pronari i huaj ka vendosur të mbyllë fabrikën e Moskës Renault. Kjo është e drejta e tyre, megjithatë, ne nuk mund të lejojmë që disa mijëra fuqi punëtore të gjenden të papunë", tha kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin. "Prandaj, kam marrë një vendim për të regjistruar fabrikën si një pasuri e qytetit dhe për të rifilluar prodhimin e makinave nën markën historike Moskvich".

“Në vitin 2022, ne po kthejmë një faqe të re në historinë e Moskvich”, shtoi Sobyanin.

Kompania do të përpiqet të mbajë të gjithë punonjësit aktualë të uzinës të punojnë atje, shkroi kryebashkiaku. Fabrika do të fillojë me prodhimin e makinave me benzinë, por, sidoqoftë, shpejt do të kalojë në prodhimin e makinave elektrike, sipas Sobyanin.

Megjithatë, Sobyanin nuk specifikoi se cilat modele automjetesh do të ndërtoheshin nën emrin Moskvich në ish-fabrikën Renault në të ardhmen e afërt.

Moskvich i ka rrënjët tek ato që konsiderohen si disa nga makinat e para të dizajnuara nga sovjetikët nga vitet 1920 dhe 30. Pas Luftës së Dytë Botërore, kompania filloi të prodhojë makina me emrin Moskvich, që do të thotë "muskovit", ose një vendas i Moskës.

Sot, rreth 200,000 makina Moskvich janë ende të regjistruara në Rusi, sipas agjencisë analitike Autostat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë