Politike

Rusia “e shqetësuar” për Shqipërinë e Madhe: S’mund të hiqni kufirin me Kosovën pa lejen e Serbisë

Ministria e Jashtme ruse ka reaguar në lidhje me mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës më 2 tetor.

Përmes nje deklarate publike, Rusia thotë se marrëveshjet e nënshkruara në këtë mbledhje dhe deklaratat e Kryeministrave që pasuan ngrenë shqetësimin se "qëllimi i shqiptarëve për të hequr kufirin Shqipëri-Kosovë përbën kërcënim për paqen në rajon".

"Ka një përshtypje se natyra e dyshimtë dhe e rrezikshme e qasjes nga qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës vazhdon të nxisë politikën e Shqipërisë së Madhe, pavarësisht se sa mundohen dy qeveritë që ta fshehin këtë plan të tyre", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.

Moska thotë se këto plane përbëjnë një rrezik real për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Rusia sheh me shqetësim sidomos idenë e heqjes së kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

"Duam të rikujtojmë se Kosova është pjesë e Republikës së Serbisë dhe çdo vendim arbitrar (pa pëlqimin e Serbisë) për kufijtë është shkelje brutale e integritetit territorial të një shteti sovran", deklaron Rusia.

Rusia kërkon nga Bashkimi Europian që të mbajë të njëjtin qëndrim të qartë kundër qasjes së shqiptarëve.

Në fund, Moska thotë se lëvizje të tilla minojnë procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe të gjitha përljekjet për një zgjidhje të përbashkët të problemit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë