Jete & Stil

Rusia arreston “Jezusin” në Siberi

Rusia angazhoi helikopterë, forca speciale dhe shërbimet sekrete të FSB-së (ish-KGB) në një operacion të pazakontë në pyjet e dendura siberiane. Objektivi: Arrestimi i të vetëshpallurit “Jezus”.

59-vjeçari Sergei Torop, një ish-polic i qarkullimit rrugor, njohur me emrin e kultit “Visarion” dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Vladimir Vedernikov dhe Vadim Redkin, një ish-basist i një bande në epokën sovjetike u arrestuan nga policë të maskuar dhe më pas u shoqëruan me helikopterë drejt qelive.

Të tre u ndaluan për themelimin dhe drejtimin e “Kishës së Testamentit të Fundit”, e një organizatë fetare e konsideruar e paligjshme në Rusi. Themeluesi i saj është 59-vjeçari Torop. Në vitin 1991, kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, Torop humbi vendin e tij të punës si polic rrugor. Në këtë periudhë ngre kultin e tij.

Prej 1998-ës, për shkak edhe të presionit të Kishës Ortodokse Ruse e zhvendosi qendrën e sektit që drejtonte larg qytetërimit, në pyjet siberiane. Tha se në këtë periudhë kishte përjetuar “ringjalljen”, duke pretenduar se Zoti fliste përmes tij.

“Nuk jam Zoti dhe është gabim të shohësh Jezusin si Zot. Por, jam fjala e gjallë e Atit. Çdo gjë që Zoti do të thotë, e thotë përmes meje”, deklaronte Torop për britaniken “The Guardian” në vitin 2002.

Mediat ruse thonë se fillimisht Torop tërhoqi ndjekës duke deklaruar se Jezusi po e shihte njerëzimin nga orbita e Tokës dhe se Virgjëresha Mari po drejtonte Rusinë. Më vonë e ndryshoi predikimin duke pretenduar se ai vetë ishte Jezusi.

Ideologjia që e drejton këtë sekt është një ndërthurje mes ortodoksizmit rus dhe ambientalizimit. Në sektin e tij, mishi dhe të gjitha produktet e nënproduktet me bazë shtazore janë të ndaluara. Po ashtu është e ndaluar edhe qarkullimi i parasë mes anëtarëve të komunitetit.

Ndjekësit e tij kanë një kod veshjeje strikt dhe kalenderi i tyre nis nga viti 1961, viti i lindjes së Torop, ndërsa Krishtlindjet festohen më 14 janar, datën e lindjes së tij.

Kisha Ortodokse Ruse e ka dënuar këtë sekt për vite me radhë, por asnjëherë ky shqetësim i kësaj Kishe nuk ka ngacmuar autoritetet ruse. Mbetet e paqartë se çfarë i shtyu autoritetet që të ndërhyjnë pikërisht tani.

Ajo që dihet është që organet hetuese thanë se do ta akuzojnë Torop për themelimin dhe drejtimin e një organizate fetare të paligjshme dhe mashtrim të qytetarëve, pasi besohet se ai zhvishte nga pasuritë ndjekësit e tij, duke i përvetësuar ato.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë