Politike

Rusët kërcënojnë sërish zgjedhjet amerikane

Më 6 nëntor të këtij viti amerikanët do të votojnë në ato që njihen si zgjedhjet e mesmandatit. Në lojë janë të gjitha ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 vendet në Senatin e Kongresit Amerikan.

Nga vetë emri, këto zgjedhje mbahen në mesin e një mandati presidencial. Këtë herë rastis që në krye të Shtëpisë së Bardhë të jetë Donald Trump, i zgjedhur në krye të SHBA në një proces, që prodhoi dhe vazhdon të prodhojë akuza për ndërhyrjen ruse në të.

E njëjta gjë duket se po ndodh edhe me zgjedhjet e mesmandatit, të paktën sipas asaj që thotë Microsoft. Gjiganti amerikan i teknologjisë njoftoi së fundmi se kishte bllokuar disa përpjekje me origjinë ruse për të ndikuar në zgjedhjet amerikane.

Ndryshimi nga zgjedhjet presidenciale të 2016, kur sulmet shënjestruan demokratët dhe kandidaten e tyre, Hillary Clinton, këtë herë sulmet duket se kanë në shënjestër grupet konservatore amerikane. Microsoft thotë se grupe të hakerave ruse ishin përpjekur që të vidhnin të dhëna nga organizata politike, përfshirë edhe nga Instituti Ndërkombëtar Republikan dhe Instituti Hudson, që të dy organizma konservatorë në krah të republikanëve.

Microsoft thotë se pas sulmeve qëndron grupi “Fancy Bear” (shqip: Ariu i sofistikuar).

“Jemi të shqetësuar se të gjitha këto përpjekje përbëjnë një kërcënim serioz për të gjitha palët politike që garojnë në zgjedhjet e 2018”, thotë Microsoft.

Kompania e Bill Gates thotë se ka mbyllur 3 faqe interneti që imitonin faqet zyrtare të organizatave politike të ndryshme. Përdoruesit që binin viktimë e këtyre faqeve u jepnin pa dashje të dhënat e tyre personale hakerave, të dhëna që Microsoft thotë se mund të përdoreshin në një fazë të dytë për të favorizuar, apo goditur grupe dhe organizata të ndryshme politike në SHBA përmes fushatave në platformat sociale.

“Gjasat janë që sulmet në fjalë, të bllokuara prej nesh, të jenë nisja e një fushate më të madhe për të siguruar të dhënat e përdoruesve dhe për t’i përdorur ato në fushatën zgjedhore”, deklaron Microsoft në një blog, ku jep me detaje teknike punën e kryer në fushën e sigurisë në këtë sektor.

Faqet imituese lidheshin me disa shërbime të tjera online që ofrohen nga Senati dhe Kongresi amerikan, ndërkohë që njëra prej tyre imitonte shërbimin online të Microsoft Office 365.

"New York Times" shkruan se që të dy Institutet e shënjestruar nga rusët ishin ndër mbështetësit e vijës së parë për Donald Trump në zgjedhjet e 2016, por që tani janë ftohur pasi bëjnë thirrje për shtimin e sanksioneve ndaj Moskës, thirrje që bie ndesh me politikën e afrimit me Vladimir Putin, që Presidenti amerikan ka ndjekur deri më tani.

Anëtarë të zëshëm të Institutit Ndërkombëtar Republikan janë Senatori John McCain dhe gjenerali McMaster, i cili u zëvendësua para disa muajsh nga detyra si këshilltar i sigurisë për Donald Trump.

Microsoft sqaron se në dy vite ka bllokuar 12 domeine dhe 84 faqe interneti, por nuk ka prova për të dhënë që këto faqe të bllokuara janë përdorur për sulme apo jo.

Gjithashtu, kompania shton se aktiviteti i vënë re së fundmi është një “deja vu” i aktiviteteve të dyshimta në botën online të vëna re në 2016 para zgjedhjeve në SHBA dhe në 2017 para zgjedhjeve në Francë.

Në nëntor, amerikanët do të votojnë për të të gjitha ulëset në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres dhe 35 nga 100 vende në Senat. Sipas analistëve ndërkombëtarë, rezultati i këtyre zgjedhjeve dhe shumica që do të prodhohet në dy dhomat e Kongresit amerikan do të kushtëzojë në masë të madhe edhe politikat e brendshme dhe të jashtme të Donald Trump.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë