Futboll

Rummenigge konfirmon Champions-in e ri: Do të jetë shumë më spektakolar

Karl-Heinz Rummenigge, CEO i Bayern Munich, i cili do të largohet nga posti i tij në fund të sezonit, foli për gjithçka, nga e kaluara e tij me Interin te formati i ri i Ligës së Kampionëve. Dhe këtu fillon biseda e tij. Përfaqësuesit e ligave kryesore europiane, disa ditë më parë u takuan në Londër për të provuar formatin e ri të Champions-it:

“Do të jetë shumë më spektakolar dhe më i gjallë se faza e sotme të grupeve, e cila shpesh është e mërzitshme në ndeshjet e fundit. Do të jetë më e komplikuar për t’u kualifikuar dhe më emocionuese si garë. A do t’i penalizojë kampionatet e reja grupi i vetëm me nga 10 ndeshje? Kjo është qershia mbi tortë, por vlera e kompeticionit nuk ndryshon. Për tifozin italian është e rëndësishme se si përfundon derbi i Milanos ose ndeshja kundër Juves”.

Ndër të tjera, Champions-i, ku Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, gjithmonë janë pika referimi. Rummenigge donte të thoshte fjalën e tij për pagën e “Pleshtit” e zbuluar së fundi: “Çfarë mendoj për pagën e Messit? Unë qesh…, vetëm mund ta komplimentoj atë, sepse arriti të siguronte një kontratë të tillë astronomike”.

Nga ana tjetër, duke u ndalur te Ronaldo, gjermani tha se u befasua, kur e pa atë kohët e fundit: “Kur Juve bleu Ronaldon, isha kurioz të shihja se si do të funksiononte. Në fakt, funksionoi shumë mirë. Disa muaj më parë isha në Torino për një takim, Agnelli më tregoi qendrën e re sportive dhe aty ishte Ronaldo në dhomat e zhveshjes, me gjoksin zhveshur. E kam parë trupin e tij shumë herë, por ashtu “live” më dha përshtypjen se është 100% i trajnuar për të vazhduar edhe disa vite në nivele të larta”.

Në fund, Rummenigge flet për jetën e tij në fund të këtij sezoni, kur e përfundon aventurën si drejtues te Bayerni: “Nëse do të shkoja ndonjëherë te Juve? Filozofia ime është që, nëse keni luajtur me Interin, është e pamundur të shkosh te Juve. Ka vetëm një zemër”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë