Lajme

Rumani, humb jetën në aksident oficeri shqiptar me bashkëshorten

Një aksident tragjik i ka marrë jetën një efektivi shqiptar në Rumani. Ervin Dervina, 41 vjeç, Oficer i Kontaktit i Shqipërisë pranë Qendrës për Forcimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC), u përfshi në një aksident rrugor ku edhe humbi jetën.

Aksidenti rezultoi fatal edhe për jetën e bashkëshortes së tij nga Rumania. Lajmi është shpërndarë nga Policia e Shtetit shqiptar përmes një njoftimi për mediat. “Policia e Shtetit shpreh dhimbjen dhe solidaritetin për familjarët e 41-vjeçarit dhe bashkëshortes, për humbjen e papritur dhe të parakohshme të të afërmve të tyre, si dhe është e angazhuar maksimalisht dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet rumune për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit”, - njofton policia.

Mediat rumune bëjnë me dije se aksidenti ka ndodhur në rrugën Kombëtare 15, ndërmjet Brnukovenës dhe Susenit, ku tre mjete janë përplasur midis tyre, njëra me targa diplomatike.

Sipas burimeve të cituara nga mediat rumune, vetura me targa diplomatike i përket Ambasadës së Shqipërisë.

Aksidenti ka ndodhur pas përplasjes midis dy makinave dhe një kamioni, ku mjeti i fundit është përmbysur ndërsa dy makinat e vogla kanë dalë nga rruga.

Aksidenti shkaktoi trafik të rënduar në këtë aks, ndërsa forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse shkuan në vendin e ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë