Art dhe Kulture

Rudolf Marku, Poeti i parë Laureat shqiptar

Nën një re poetike, në hollin e Ministrisë së Kulturës, Rudolf Marku u shpall Poeti i parë Laureat shqiptar.

Në ceremoninë e mbajtur për ndarjen e këtij çmimi për herë të parë në vendin tonë të iniciuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, ishte e pranishme ishte dhe ministrja e Kulturës së Kosovës, Vlora Dumoshi.    

Poeti Rudolf Marku, një emër i rëndësishëm në letrat shqipe që pas viteve ’80, përgjatë dy viteve 2020-2022 do të jetë në krye të një fushate publike për të promovuar poezinë shqipe.

Komiteti i këtij vlerësimi i përbërë nga Besnik Mustafaj, Arlinda Dudaj, Agron Gjekmarkaj, Viola Isufaj dhe Agim Baçi, e shoqëroi vendimin me motivacionin:

“Ka arritur të ndërtojë një vepër të pasur dhe koherente përtej konteksteve historike, politike dhe gjeografike në të cilat ka jetuar poeti, duke shprehur me gjuhën e përshtatshme atë çka është e qëndrueshme te njeriu. Në motivacionin për Poetin Laureat është vlerësuar edhe shërbimi i çmuar që i ka bërë ai kulturës kombëtare, duke sjellë në shqip shumë nga kryeveprat e poezisë botërore”.

Poeti Rudolf Marku tha se ky status është një kënaqësi, por edhe një përgjegjësi, pasi “jam i pari në këtë mision dhe eksperiencë poetike”.

Ndërsa, ministrja Margariti ndau dëshirën me homologen e saj të Kosovës që “Poeti Laureat” të jetë i të gjithë shqiptarëve.

“Nuk ka ‘poetë të Kosovës’ apo ‘poetë të Shqipërisë’, ka vetëm poezi shqipe!”, u shpreh ajo.

Rudolf Marku, i cili nisi këtë traditë, është një poet që vazhdon të shkruajë e të jetë aktiv, por njëkohësisht ka një vepër mbrapa. Ka lindur në vitin 1952 në Lezhë. Studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe i kreu në Universitetin e Tiranës.

Nga viti 1987 deri në vitin 1990 punoi në gazetën “Drita”, ku drejtoi botimin e poezisë dhe të përkthimeve. Në vitin 1996 emërohet nga Ministria e Jashtme, me detyrën e atasheut kulturor pranë ambasadës shqiptare në Londër. Që nga viti 1997 ai jeton bashkë me familjen në Angli. Ka botuar 7 vëllime poetike, si dhe ka botuar edhe romanin Allahland. Shtatë vëllimet poetike e kanë renditur si njërin nga poetët më të talentuar të gjuhës shqipe. Përmbledhja e fundit poetike Një ballkanas ne Londër, ka fituar çmimin Penda e Argjend, si libri më i mirë poetik për vitin 2012.

Për romanin e tij “Tre divorcet e zotit Viktor N.” Rudolf Marku u shpërblye me çmimin “Kadare” në vitin 2015, i pari shkrimtar shqiptar që e merr këtë çmim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë