Politike

Rudina Hajdari drejt largimit nga PD: Nuk ka të ardhme

Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari ka kritikuar ashpër drejtuesit e partisë, duke lënë të kuptohet se mund të lërë jo vetëm mandatin, por edhe të largohet edhe nga forca politike, ku i ati i saj ishte mes themeluesve pas viteve ’90.

Me anë të një postimi të gjatë në “Facebook”, vajza e Azem Hajdarit, thotë se PD ka arritur në pikën ku nuk kuptohet nga populli dhe ajo thekson se nuk sheh të ardhme brenda kësaj partie. Hajdari thotë se një parti politike s’mund të shkojë kurrë në fitore me fotografi apo me thirrje nacionaliste.

“E kam vështirë të shikoj një të ardhme brenda një partie që po duket sikur po nuk po kuptohet nga populli gjithsesi. Një parti nuk shkon dot kurrë në fitore, as me foto me figura të larta politike, dhe as me thirrje nacionaliste. Flas këtu për dështimin e të gjitha partive, sepse këto janë rrugët që po ndjekin për të shpëtuar veten. Partia e Lëvizjes Socialiste për Integrim e bëri punën e saj dhe i shërbeu Ilir Metës deri në ngritjen dhe ringritjen e tij. Tani kjo organizatë është pa udhëheqje, por me përfaqësim. Ndërkohë, Partia Socialiste është në prag të vetëvrasjes politike. BE-ja është e lodhur me të dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk i beson më askujt. Pra, jemi në një udhëkryq të madh”, shkruan Hajdari.

Por duket se vendimi final i Rudina Hajdarit për të lënë mandatin e deputetes do të merret pas konsultimeve me bazën, pasi ajo shprehet se do të flasë me ata që e kanë votuar dhe këtu i referohet elektoratit në zonën e Laprakës, ku edhe u zgjodh si ligjvënëse.

“Megjithatë, para se të heq dorë nga mandati im, kam detyrim ndaj atyre që më qëndruan pranë gjatë kësaj kohe, ndaj atyre që më votuan. Do të takohem me ta dhe do ta diskutoj me ta vendimin tim, sepse ndjej detyrim madhor ndaj tyre. Pra, ky është vendimi im dhe janë studentët e sotëm që më frymëzuan të ndërmarr këtë hap. Prandaj them që nuk ka kthim mbrapa”, shprehet ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë