Politike

Rudina Hajdari bën një hap pas: S’e drejtoj unë “Bindjen Demokratike”

Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari reagon pas tre ditësh në lidhje me partinë e re politike “Bindja Demokratike”, në krye të së cilës ajo përflitet se është. Këtë qëndrim Hajdari e bëri me anë të një postimi në Facebook, ku rrëzon mundësinë e drejtimit të kësaj lëvizjeje.
“Ajo që më bën përshtypje në kushtet e “psikiatrisë politike” ku jemi futur, është fakti që personalisht, pa dhënë asnjë deklarim apo pa ndërmarrë asnjë iniciativë lidhur me këtë, më cilësojnë si kryesuese të një forumi të ri që po krijohet, por nga kontaktet që zhvilloj anë e mbanë vendit, dhe kudo ku ka shqiptarë të ndershëm, duke respektuar dhe festat e Pashkëve, nuk jam shprehur më parë”, shprehet Hajdari në Facebook.
Në postimin e saj, deputetja shprehet se çdo moment ndjek me vëmendje dhe ndjeshmëri, përpjekjet që bëhen për zhvillimin dhe prosperitetin e jetës politike në vend. Krijimin e çdo forumi të ri politik, ajo e sheh si një hapësirë më shumë, për demokratizimin e politikës dekadente që ka përfshirë vendi, duke shtuar se “gjithsecilit i uron rrugëtim të mbarë dhe suksese në përpjekjet e tij”.
“Është e kuptueshme se shqiptarët janë tejet të lodhur e të shqetësuar nga kjo politikë e mërzitshme dhe e dëmshme 28-vjeçare, prandaj krijimi i një alternative të re, të vërtetë dhe shpresëdhënëse që ka për qëllim interesin publik, përfaqësimin qytetar. Një politikbërje të re me standarde perëndimore do të ishte një iniciativë për t'u gëzuar. Pak ditë më parë, në deklarimin që bëra në Parlament, shpreha vullnetin e grupit që kryesoj dhe ky do të mbetet angazhimi im kryesor. Natyrisht, në rrugëtimin që kemi nisur, prania e demokratëve të ndershëm dhe gjithë atyre që aspirojnë një demokraci të vërtetë, do të jenë mbështetja e jonë”, thekson Hajdari.
Me këtë qëndrim Hajdari duket se po synon që lëvizjen e saj politike ta bëjë brenda PD-së, duke synuar ndryshimin e ligjit zgjedhor, sa i përket sistemit politik apo dhe mënyrës së përzgjedhjes së deputetëve.
“Shqiptarëve u duhet "një elitë e re politike" dhe ne e konsiderojmë një obligim parësor, përgatitjen e një formule të përshtatshme përfaqësimi politik, në mënyrë që deputetët dhe të zgjedhurit t'i caktojnë qytetarët dhe jo kryetarët e partive. Ka shumë modele që mund ta realizojnë këtë qëllim, që nga sistemi i pastër mazhoritar e deri tek ai proporcional kombëtar me lista të hapura, nëpërmjet të cilave shpresojmë të nxjerrim jashtë të gjithë elementët e korruptuar që vijnë nga bota e krimit, që me drejtimin e mazhorancës qeverisëse, e kanë futur vendin në një drejtim pa shpresë dhe të ardhme”, mbyll postimin e saj Hajdari.
"Bindja Demokratike" ishte lëvizje e re politike që u lançua si një inciativë e ndërmarrë nga Rudina Hajdari dhe Astrit Patozi. Kjo nismë shihej edhe si një përpjekje për të mbledhur të gjithë të pakënaqurit në PD, të cilët janë larguar nga kjo parti, apo që janë kundër linjës aktuale politike të lidershipit demokrat.

Postimi në Facebook i Rudina Hajdarit

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë