Art dhe Kulture

Rudi Erebara: të zhgënjyer nga deputetët e PD, të na bashkoheshin në protestën te Parlamenti

Shkrimtari Rudi Erebara gjatë protestës në oborrin e TK

Protesta kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar ka vijuar  edhe pas miratimit të projektligjit në Parlament me 75 vota pro.  Të mbledhur kësaj here në oborrin e teatrit, siç kanë bërë për thuajse  dy muaj me radhë qytetarë dhe pak aktorë kanë thënë se do e vazhdojnë qëndresën, deri edhe në përshkallëzim të saj.

Shkrimtari Rudi Erebara, një figurë aktive  kundër shembjes së godinës pasi ka përshëndetur gjestin e Pandeli Majkos ka thënë se ndihet i zhgënjyer nga deputetët e opozitës, të cilët sipas tij duhet t’u ishin bashkuar protestuesve përpara Parlamentit, pas mbylljes së seancës parlamentare të ditës së enjte, kur deputetët e mazhorancës i dhanë dritën jeshile projektligjit për shembjen  e godinës së teatrit dhe hapjes së negociatave me kompaninë ndërtuese “Fusha shpk” që do të ndërtojë edhe godinën  e re, siç është deklaruar me asnjë para nga buxheti i shtetit. Erebara në fjalën  e tij e quajti çështjen e teatrit një çështje politike

Regjisorja Suela Bako dhe qytetarë pjesëmarrës në protestën kundër shembjes së godinës së TK.

“Siç e thashë edhe para  4 muajsh,  në Ditën Ndërkombëtare  të Teatrit, nuk ishte thjesht çështje aktorësh apo  regjisorësh, është çështje e historisë dhe  e Europës.  Do të bëhej patjetër çështje politike dhe, falënderoj PD-në dhe Opozitën që zbatoi detyrën qytetare, e votoi ligjin  kundra  dhe na mbështeti aq sa na mbështeti  si qytetarë. E ftoj Opozitën të vazhdojë misionin e të mbrojë historinë e këtij qyteti.”-tha shkrimtari laureat i çmimit Europian për Letërsinë, ndërsa nuk i kurseu edhe kritikat për deputetët e PD-së. “ Dje pritëm gjithë ditën e natën dhe mund të kishin ardhur të na bashkoheshin, të na jepnin dorën e të na kërkonin falje se nuk i kishin numrat për ta rrëzuar ligjin,  por e  bënë detyrën dhe janë bashkë me ne. Të mos e lënë më Shqipërinë në dorë të Edi Ramës  dhe të Edi Ramave të  tjerë.”Erebara tha se detyra e Opozitës është t’i bashkohete qytetarëve që nesër të meritojë votën e tyre dhe i bëri edhe njëherë thirrje kësaj të fundit të vazhdojë qëndresën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë