Politike

Ruçi e Rama s’votojnë, Balla: Protesta për Unazën, idioteske

Kuvendi brenda dy orësh mbylli shqyrtimin e 7 projektligjet në rendin e ditës, pasi nuk pati fjalime të zjarrta të deputetëve në sallë. Opozita prej disa seancash mungon në Parlament, e kjo solli shtyrjen e votimit të dy projektligjeve “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, pasi duheshn 84 vota për t’u kaluar.

Në fillim të seancës, kryeparlamentari Gramoz Ruçi njoftoi depozitimin e disa projektligjeve, ku mes tyre është edhe dekreti i Presidentit për emërimin e Vitore Tushës si kryetare e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kjo seancë e vakët, me shumë pak diskutime, ndikoi që edhe kryeministri Edi Rama e kryeparlamentari Gramoz Ruçi, si dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj të mos merrnin pjesë në votimin e projektligjeve. Kryeministri nuk ishte i pranishëm. Por mazhoranca u fokusua te çështja jashtë rendit të ditës siç ishte ajo e ministrit të Financave, Ahmetajt për akuzat e opozitës për PPP-të, apo për çështjet e unazës së Tiranës, ku prej 14 ditësh ka nisur protesta dhe që banorët e zonës së Astirit sot kishin rrethuar bashkinë e Tiranës.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla e cilësoi si idioteske protestën dhe mënyrën e mbështetjes nga ana e opozitës, pasi sipas tij, projekti është miratuar që në kohën kur lideri i PD-së ka qenë kryebashkiak dhe madje më herët. Sipas Ballës, Basha është njeriu që ka firmosur gjurmën e “Unazës” si ish-ministër i Transporteve .

Taulant Balla, duke folur në seancën e sotme në Parlament

“Pas dështimeve te këndi i lojërave te Parku i Liqenit, te sheshi ‘Skënderbej’, pas historisë pa kuptim të Teatrit Kombëtar. Tani kemi edhe një betejë, idioteske tjetër sikurse është kjo për të penguar vijimin e ndërtimit të Unazës së Tiranës. Aq e pakuptimtë është sa kryetari aktual, ose kryetari në detyrë i opozitës, Lulzim Basha, ka qenë pjesë e përcaktimit të gjurmës se ku kalon Unaza, me firmë dhe vulë qoftë si ministër i Transporteve deri në vitin 2007, por qoftë edhe si kryetar i Bashkisë së Tiranës 2011-2015. Gjurma se ku kalon unaza është miratuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 2012. Banorët që sot ankohen te Lulzim Basha për këtë çështje, duhet të informohen nga vetë Basha për gjurmën e përcaktuar. Unaza do vijojë. Është jetësore për Tiranën që ky standard i ri zhvillimore që po vendos qeveria në bashkëpunim me bashkinë, të shkojë deri në fund. E turpshme që sa herë kemi një projekt zhvillimi, jo vetëm këtu në Tiranë, por edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, PD në bashkëpunim me LSI, tentojnë të pengojnë projektet të rëndësishme të e zhvillimit që i shërbejnë të gjithë qytetarëve”, deklaroi Balla.

Numri dy i PS-së, Balla sfidoi opozitën, duke i ftuar që ata të jenë të pranishëm në seancën e ardhshme në momentin kur do të diskutohet buxheti dhe të paraqesin variantin e tyre alternativ përpara shqiptarëve. “Apeli im është që të enjten ardhshme që opozita e ka detyrim që të paraqitet në seancë plenare nuk ndodh në asnjë vend të botës së qytetëruar e demokratike që opozita të mos marrë pjesë në diskutimin për buxhetin e paketën fiskale. Në pamundësi për të paraqitur një buxhet apo paketa e re fiskale alternative, të paktën opozita është e detyruar të përfaqësojë atë përqindje të votuesve shqiptar në zgjedhje dhe të vijnë këtu me propozime për projekte, apo rritje pagash. Buxheti 2019 është më i madh, për herë të parë ne sjellim një paketë fiskale që ule taksat në vend”, theksoi Balla. Mazhoranca me 74 vota pro ka kaluar projektligjet e parashikuara në rendin e ditës si : “Për mbarështimin e blegtorisë”; “Për ekzekutimin e vendimeve penale”; “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, “Për ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit që ndryshon Memorandumin e Mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë të Bashkimit Evropian”’. Bashkim Fino ishte i vetmi nga mazhoranca që votoi kundër. Ai kontestoi p/ligjin që parashikonte rritjen e pagës së drejtorit të Institutit të Statistikave sa të një ministri. “Jam kundër një nisme të tillë, duhet të rishqyrtojmë të gjitha pagat e krerëve të institucioneve, pasi drejtori s’mund të ketë pagë më shumë se ministri apo se presidenti”, theksoi socialisti Fino, pasi votoi kundër nismës së qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë