Para

Rubla ruse forcohet ndaj dollarit dhe euros

Rubla ruse preku të mërkurën nivelin më të lartë në dy vjet kundrejt dollarit dhe euros, një forcim që pasqyron kontrollet e forta të kapitalit nga ana e Moskës, ndërsa Bashkimi Europian propozoi një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë për luftën në Ukrainë.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen propozoi një embargo me faza të naftës ruse, si dhe sanksionimin e bankës së saj kryesore dhe ndalimin e transmetuesve të saj nga valët europiane, në një përpjekje për të thelluar izolimin e Moskës.

Rubla ishte 2 për qind më e fortë kundrejt dollarit dhe një dollar këmbehej të mërkurën me rreht 68 rubla në hapje të bursës. Ky është niveli më i lartë i monedhës ruse që nga qershori 2020.

Ndërkohë, një euro u konvertua me 72 rubla, që është pika më e fortë e monedhës ruse që nga shkurti 2020.

Kursi i këmbimit mbështetet nga kontrollet e kapitalit, ndërsa aksionet po tregtohen me një ndalim të shitjeve të shkurtra dhe investitorët e huaj ndalohen të heqin dorë nga aksionet në kompanitë ruse pa një autorizim paraprak.

Gjithsesi, investitorët kanë dilema nëse norma aktuale është e qëndrueshme në dritën e kufizimeve, pasi rubla u ul në një nivel rekord në fillim të marsit, pasi vendet perëndimore goditën Moskën dhe sistemin e saj financiar me sanksione të pashembullta.

Nisur nga ky forcim i rublës, banka qendrore ruse uli normën e interesit bazë në 14 për qind dhe Ministria e Financave tha se kishte arritur të paguante interesat për eurobonot në dollarë, megjithëse më herët kishte deklaruar se do të paguante vetëm në rubla.

Megjithatë, lajmi se KE miratoi paketën e gjashtë të sanksioneve u reflektua te aksionet e bankës më të madhe ruse, që ranë me 3.4 për qind. KE propozoi heqjen e Sberbank dhe dy bankave të tjera ruse nga sistemi ndërkombëtar i transaksioneve dhe mesazheve SËIFT.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë