Para

Rubla bie në nivelin më të ulët të 16 muajve, banka ruse pritet të rrisë normën e interesit

Rubla ka rënë në nivelin më të ulët të 16 muajve kundrejt dollarit, pasi një rritje e shpenzimeve ushtarake ruse dhe një kolaps i të ardhurave nga eksporti, shtojnë presionin ndaj monedhës, që vuan nga sanksionet perëndimore si dhe nga përshkallëzimi i daljeve të kapitalit.

Monedha e Rusisë ka humbur rreth 25 % të vlerës së saj këtë vit dhe është dobësuar, duke kaluar në më pak se 100 rubla për dollar, pasi vazhdon ndikimi i luftës me Ukrainën. Rënia ka kompensuar rritjen e rublës vitin e kaluar, kur pushtimi i Rusisë në Ukrainë u pasua nga një rritje e mprehtë e çmimeve të naftës dhe gazit.

Rënia është përshpejtuar javët e fundit, duke rritur presionin ekonomik mbi Moskën, pasi sanksionet perëndimore kufizuan hyrjet e kapitalit dhe vendet europiane, u larguan nga furnizimet me energji të Rusisë, duke reduktuar të ardhurat, që ajo merr nga shitja e naftës.

Ekonomia e brendshme është nxitur nga shpenzimet e qeverisë për mbrojtjen dhe angazhimet sociale, të tilla si “pagesat e arkivolit”, të marra nga familjet e ushtarëve, që kanë vdekur në fushën e betejës në Ukrainë. Por kjo ka rritur edhe deficitin buxhetor, duke e ulur monedhën.

Rritja e shpenzimeve ka sjellë një rritje prej 20 % të importeve vjetore, në gjysmën e parë të këtij viti. Importet janë rikthyer në nivelet e paraluftës, vetëm se tani importohen të gjitha mallrat e konsumit dhe mallrat e prodhuara nga Kina, Turqia, Azia Qendrore dhe Emiratet, dhe jo nga Perëndimi.

Një ulje e madhe e normave të interesit vitin e kaluar, ushtroi presion të mëtejshëm mbi rublën; Banka Qendrore e Federatës Ruse (CBR) ka ulur normën nga 20 në 7.5 %, në më pak se një vit.

Në një rast të rrallë kritikash brenda sistemit, pas pushtimit, propaganda ruse nxitoi të fajësonte CBR-në, kreu i së cilës, Elvira Nabiullina, është vënë në shënjestër të vijës së ashpër të Rusisë, si “shumë liberale” me zhvlerësimin e rublës.

“Çfarë po ndodh në këtë vend!? Si lindi ky kurs këmbimi? Përfundimisht, kjo do të çojë në një rritje të çmimeve të konsumit dhe do të përkojë me fushatën zgjedhore, ” tha Vladimir Solovyov, një nga prezantuesit më të njohur të televizionit shtetëror rus, duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale ruse marsin e ardhshëm.

Këshilltari ekonomik i Vladimir Putinit, Maxim Oreshkin, një kundërshtar i gjatë i Nabiulina, tha se “ekonomia ruse ka nevojë për një rubla të fortë” dhe fajësoi politikën e lirshme monetare të bankës qendrore për zhvlerësimin e saj.

“CBR ka të gjitha mjetet, për të normalizuar situatën në të ardhmen e afërt dhe për të siguruar një ulje të ritmit të kreditimit, në nivele të qëndrueshme,” shkroi Oreshkin.

Ndërkohë, Banka Qendrore e Rusisë tha se mund të rrisë normën bazë të interesit, për shkak të rënies së monedhës, duke shkaktuar debate mes politikëbërësve, se si të veprojnë me pasojat ekonomike nga pushtimi i Ukrainësm nga presidenti Vladimir Putin.

Banka qendrore tha se rritja e mundshme e normës, në mbledhjet e saj të ardhshme të planifikuara, ishte e nevojshme për të stabilizuar inflacionin, në objektivin e saj 4 %, por shtoi se rënia e rublës nuk përbën kërcënim për stabilitetin financiar të Rusisë.

CBR tha se rubla ishte nën presionin e faktorëve, duke përfshirë një rënie në vëllimet e eksporteve dhe rritjen e njëkohshme të kërkesës së brendshme për importe, në mes të një rritjeje të huamarrjes së qeverisë.

Burimi: The Financial Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë