Ka ndodhur

“Ruaj jetën dhe kuletën”, policia do shtojë kontrollet në rrugë: Asnjë tolerim për shkelësit

Numri i lartë i aksidenteve rrugore në javët e fundit, kanë sjellë një rritje së prezencës së policisë rrugore në akset kryesore të vendit.

Drejtuesi i Policisë Rrugore, Edmond Takaj, ka deklaruar se ka një numër të lartë drejtuesish mjetesh që shkelin rregullat e qarkullimit në rrugë.

Nën moton “ruaj jetën dhe kuletën”, ai tha se policia do të intensifikojë kontrollet në rrugë, me qëllim parandalimin e aksidenteve.

“Policia e Shtetit, nën moton ‘Ruaj jetën dhe kuletën’ duke respektuar Kodin Rrugor, do të intensifikojë punën me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.  Policia e Shtetit nuk ka asnjë qëllim për të ndëshkuar apo rritur sasinë e masave administrative ndaj përdoruesve të rrugës. I vetmi qëllim i yni është të shpëtojmë jetë”, tha Takaj në një deklaratë për mediat.

Ai theksoi se do të ketë prezencë të shtuar të Policisë Rrugore në akset rrugore, për të mbikëqyrur trafikun, për të parandaluar shkeljet dhe aksidentet dhe për të informuar dhe ndihmuar çdo përdorues rruge të mbërrijë i sigurt në destinacionin e tij dhe nga ana tjetër “nuk do të tolerojë asnjë shkelje të kodit rrugor".

Po ashtu, Takaj i bëri apel shoferëve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

“Vendosni rripin e sigurimit dhe detyroni edhe pasagjerët për ta vendosur atë. Kur udhëtoni me motomjete vendoseni ju dhe detyroni pasagjerin të vendosë kaskën në kokë e jelekët fosforeshentë, që të bëheni të dallueshëm në trafik në kushtet e errësirës. Evitoni parakalimet e gabuara dhe sjelljet agresive në rrugë. Qëndroni në radhën e mjeteve kur ajo krijohet për shkak të ngarkesës së madhe, dalja nga “kolona” mund t’ju kushtojë “një fotografi” falas dhe një gjobë së bashku me pezullimin e lejes së drejtimit për disa muaj”, - vijoi drejtuesi i policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë