Rend dhe Ligj

Rrugëtimi i nipit të Enverit, nga kokaina, tek qelia dhe…liria

Ermal Hoxha, i arrestuar në janar të 2015 si pjesë e grupit kriminal të laboratorit të kokainës në Xibrakë u lirua pas më pak se 4 vite pas hekurave.

Nipi i diktatorit Enver Hoxha u lirua pas një vendimi të 13 shtatorit të Gjykatës së Fierit. Vendimi mban firmën dhe vulën e gjyqtarit Piro Sota dhe në të pranohet kërkesa e të pandehurit për pezullimin e ekzekutimit të dënimit të mbetur.

Faksimile e vendimit te gjyqtarit Piro Sota

Liria kushton dhe në këtë rast, edhe për Ermal Hoxhën ajo nuk është e pakufizuar. Gjyqtari Sota ka vendosur që Hoxha të ruajë kontaktet me Shërbimin e Provës, të mos kryejë asnjë vepër penale dhe të shmangë shoqërimin me persona të dënuar përgjatë 1 viti e 6 muajsh, aq sa ishte edhe koha e mbetur për të vuajtur dënimin.

Ndaj vendimit të 13 shtatorit që e liroi Ermal Hoxhën, mund të ushtrohet e drejta e apelimit nga Prokuroria brenda afatit 15-ditor në Gjykatën e Apelit të Vlorës. Nëse apelimi nuk ndodh, atëherë ky vendim merr formë të prerë.

Ngjarja

Në 2014 dhe fillim të 2015, partnerët ndërkombëtarë kishin sinjalizuar prej pak kohësh policinë shqiptare për ekzistencën e një laboratori përpunimi të kokainës në Shqipëri. Sinjalizimet u konkretizuan me një operacion të ndërmarrë në bashkëpunim me Interpolin dhe Europolin më 14 janar të 2015.

Nga operacioni i policise ne Xibrake

Operacioni u kodua me emrin “Xibraka”, ashtu si emri i fshatit që ndodhet 10 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Pikërisht në këtë fshat, një grup i strukturuar kriminal kishte gjetur si terren një magazinë larg zonave të banuara dhe rrahjes së syrit të kureshtarëve për të përpunuar kokainën.

Tetë persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre dhe kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë, ndërkohë që Genci Xhixha, që konsiderohej si koka e rrjetit të trafikut u shpëtoi prangave.

Në laborator u gjet dhe sekuestrua sasia prej 19 kilogramë e 416.2 gr lëndë narkotike e dyshuar kokainë; 8 kg e dyshuar si përziers i lëndës narkotike kokainë; 400 euro; 769.000 lekë të reja dhe 4150 dollarë amerikanë.

Janë gjetur dhe sekuestruar pesë copë karta krediti dhe një cek me vlerë 4.500 dollarë; një armë zjarri automatik model 56; një armë zjarri revolver me mulli; një armë zjarri e tipit pistoletë me kalibër 9 mm; tre armë gjahu , çifte dhe një teke; 174 fishekë të modeleve dhe kalibrave të ndryshme; 50 fishekë luftarake me kalibër 9 mm; katër automjete të tipeve të ndryshme; një makineri vakuumi e cilësisë së lartë; një peshore elektronike; 25 aparate telefoni celulare; dy automjete dhe pesë ora të markave të ndryshme.

Procesi gjyqësor

Në prill të 2015, në kohën që mbahej nën masën e sigurisë arrest me burg, Ermal Hoxha i drejtohet Gjykatës së Lartë me kërkesën për heqjen e kësaj mase. Gjykata e Lartë e refuzon këtë kërkesë dhe e ndjek nga qelia procesin gjyqësor së bashku me të pandehurit e tjerë.

Në qershor të 2017, gjashtë muaj pas operacionit, Prokuroria kërkoi 126 vite burg për 9 të akuzuar, përfshirë nipin e Enver Hoxhës, Ermalin dhe dy shtetasit kolumbianë, Cesar Avila dhe Valter Moreno, që cilësoheshin nga hetuesit si “specialistët” e përgatitjes së kokainës për treg. Prokuroria kërkoi nga 13 deri në 15 vite burg për ta.

Në korrik, grupi i pagëzuar me emrin “Grupi i Xibrakës”, për shkak të fshatit me të njëjtin emër ku u zbulua laboratori i përpunimit të kokainës i shpëtoi dënimit për akuzën e trafikut të drogës.

Nëntë të pandehurit, prej të cilëve personi kyç Genci Xhixha vijon të jetë ende në kërkim, u dënuan në total me 104 vite burgim në total vetëm për akuzën e prodhimit të drogës dhe grup të strukturuar kriminal.

Vetë Ermal Hoxha nuk u shfaq asnjëherë para Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe nga 13 vjet që kërkoi Prokuroria e Krimeve të Rënda mori dënimin me 10 vjet burgim.

Gjykata tha në atë kohë se vepra e trafikut të drogës ra përderisa nuk është vërtetuar se ku do të transportohej kjo ngarkese pasi të përfundonte përpunimi i saj. Megjithatë, Prokuroria përgjatë gjykimit këmbënguli se të nëntë të dyshuarit krijuan një grup të strukturuar kriminal me qëllim trafikun e drogës, duke importuar në Elbasan një sasi lënde në përmbajtje të të cilës fshihej kokainë.

Grupi kërkoi gjykimin e shkurtuar në mënyrë që të përfitonte uljen e dënimit me një të tretën e tij, por kërkesa iu refuzua nga shkalla e parë e Krimeve të Rënda. Të pakënaqur me vendimin, vendimet u apelin në Apelin për Krimet e Rënda, trupa e të cilit e pranoi kërkesën duke ulur në total nga 104 vite dënim në 63 për të akuzuarit.

Vetë Ermal Hoxhës iu ul dënimi nga 10 vite në 6 vite e 8 muaj burg dhe ende pa e përfunduar këtë dënim, e sheh veten të lirë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë