Lajme

Rruga Tiranë-Elbasan, në mars hapet një nga korsitë

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar sot nga ministrja e re e Infrastrukturës, kryetari i grupit të PS, Taulant Balla, por edhe deputetët e tjerë të Qarkut të Elbasanit, ka inspektuar nga afër kantierin e punimeve në rrugën Elbasan-Tiranë.
Drejtuesi i projektit shpjegoi se gjithçka është në fazën përfundimtare dhe në mesin e muajit mars pritet të hapet njëri krah i rrugës, ndërsa një muaj më pas e gjithë rruga.
“Ritmet janë të kënaqshme dhe parashikojmë që më 14 mars rruga të bëhet e aksesueshme për trafikun, karrexhata e majtë përkohësisht, derisa të mbarojë në përputhje me grafikun e ri të punimeve, në maj të 2019-ës. Kjo ka qenë një nga zonat më problematike të projektit. Ka pasur një kosto 9.6 milionë dollarë. Realizimi i saj është 93%. Duhen edhe 800 mijë dollarë dhe kjo të kompletohet”, tha drejtuesi i projektit.
Kryeministri Rama nuk kurseu edhe sulmet për qeverinë e kaluar, pasi deklaroi se nxitimi për arsye elektorale solli dyfishimin e kostos.
“Kjo rrugë u bë realisht gangrenë. U nis pa projekt, pa studim gjeologjik, pa asnjë lloj sigurie, vetëm hajde të hapim tunelin për fushatë elektorale e punë e madhe se çfarë ndodh mbrapa dhe e paguan shumë shtrenjtë. Praktikisht ka shkuar dyfish nga vetëm marrëzia dhe babëzia e paimagjinueshme”.
Kreu i qeverisë kërkoi angazhim maksimal për përfundimin brenda afateve edhe të pjesës së mbetur të punimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë