Lajme

Rruga që dëbon turistët…

Rruga e dëmtuar për në Parkun Arkeologjik të Bylisit e bën atë të pavizitueshëm në krahasim me vlerat që bart.

Në këtë periudhë nëse viziton Bylisin do të mund të kesh fat të madh për ta shëtitur me qetësi dhe pa u bezdisur nga zëra a pyetje. Do të jesh vetëm me gurët dhe guidën e specializuar apo vetë drejtorin e parkut të cilët do ti kesh vetëm për vete për të të cicëruar.

Kjo sepse vizitat në këtë Park Arkeologjik të rëndësishëm nuk janë të shpeshta për shkak të rrugës së dëmtuar prej vitesh.

Pjesa e dëmtuar është segmenti nga Kthesa e Patosit deri te kthesa për në Ballsh. Por me problematike është pjesa nga Qafa e Lalarit deri tek “Ofiçina e Vjetër”.
Segmenti rrugor Ballsh-Bylis është tejet i vështirë për tu kaluar. Veç dëmtimeve rruga për në qytetin antik të Bylisit është edhe shumë e ngushtë.

Segmenti Ballsh-Aranitas është më pak i dëmtuar se dy segmentet e tjerë. Problematikë në ketë pjesë mbeten gropat prapa uzinës së përpunimit të naftës, ndërsa pjesa tjetër është në gjendje më të mire. Rruga nacionale Fier-Ballsh me një gjatësi prej 26 km është lënë krejtësisht në harresë që pas ndërtimit të autostradës Levan-Tepelenë.

Sipas drejtorit Nexhmi Sulaj, Parkun Arkeologjik të Bylist e kanë vizituar gjatë 2018-ës vetëm 4000 veta, ndër të cilët 2000 turistë të huaj, 1000 vizitorë shqiptarë dhe 1000 nxënës e studentë.

Nxënësit sipas tij janë të zonës së Mallakastrës dhe zonave përreth. Megjithëse të gjitha kurrikulat arsimore të programit 9-vjeçar e përmbajnë vizitën në Parqe Arkeologjike, në Bylis vijnë vetëm nxënësit e zonës për shkak të rrugës.

Kurse vetëm Parku Arkeologjik i Apolonisë është vizituar nga mbi 29 mijë turistë gjatë periudhës janar-korrik 2018, duke sjellë dyfishimin e numrit të vizitorëve në këtë park, krahasuar me një vit më parë.

“Rruga është një problem që po dëmton turizmin rëndë në këtë zonë. Nëse do të bëhej rruga nga autostrada e Tepelenës, këtu nuk do të rreshtnin turistët”- thotë Sulaj për gazetën “SI” tek më tregon se pak kohë më parë një turiste franceze 90 vjeçare me shkop kishte ardhur për të vizituar Parkun e Bylisit sëbashku me të bijën 70 vjeçare.

Dhe ashtu çalë çalë me shkop ka shëtitur të gjithë hapësirën prej 30 ha të Parkut Arkeologjik të Bylisit.

Ka shumë interes, thotë ai, veçanërisht prej të huajve. “Një kategori e të huajve që lexojnë dhe janë të interesuar nuk duan tia dinë për rrugën. Pasi Parku i Bylisit është më i veçanti prej gjithë parqeve të tjerë, pasi ëshët autentik dhe autokton ilir i pandikuar nga periudha greke” – shpjegon drejtori Sulaj.
Sipas tij, periudha më e frekuentuar e Parkut Arkeologjik të Bylisit është prilli dhe maji.

Artifakt i zbuluar në Bylis

Bylisi antik është destinacioni i vizitorëve të apasionuar pas historisë, arkeologjisë dhe arkitekturës dhe është një pasuri shumë e çmuar për vlerat që bart.
Gërmimet në qytetin Ilir të Bylisit kanë nisur më 1976 ku u nxorrën në dritë rrënojat e qytetit duke dokumentuar historinë ilire.

Nga shekulli i IV para Krishtit (që konsiderohet dhe periudha e themelimit) e deri një shekull më vonë, u ndërtuan disa prej veprave më madhështore të qytetit, si teatri, stadiumi, sterra e ujit, gjimnazi, dy shëtitore, banesa të ndryshe, rrënojat e të cilave mund t’i hasim edhe sot.

Bylisi i vjetër ishte i ndarë në tre zona, dhe u ndërtua në bazë të planit arkitektonik të Hipodamnit. Nga ajo periudhë vëren rrënojat e teatrit 7500 vendësh, të cilat të mundësojnë një udhëtim të bukur në historinë dhe arkitekturën e qytetit. Teatri përbëhej nga 40 shkallare, dhe sot mund të shikohen ende disa ndenjëse prej guri, muret mbajtëse të teatrit apo bazamenti i orkestrës.

Edhe nga Stadiumi i Bylisit mund të vërejmë 19 shkallë prej guri, që e bëjnë pas Amantias stadiumin e dytë më të mirëmbajtur nga antikiteti në Shqipëri. Krahas objekteve të rëndësishme publike, qyteti kishte punishtet e veta të poçarisë, ndërtimit, skulpturës, metalpunuesit si dhe punishten e prerjes së monedhave të veta. Gjatë shekullit të V pas Krishtit nisën të ndërtoheshin disa kisha, rrënojat e të cilave sot përbëjnë disa nga dëshmitë më të rëndësishme paleokristiane në Shqipëri. Deri më sot janë zbuluar 5 të tilla, si brenda mureve rrethuese të qytetit, ashtu edhe jashtë tyre.

Sipas drejtorit Sulaj, një grup studiuesish italianë, tre vite më parë kanë evdientuar edhe një zonë nën tokë ku mund të jetë një bazilikatë tjetër me kolona 11 metërshe, por që ende nuk është gërmuar.

Sipas tij, mendohet që qyteti antik ilir i Bylisit ta ketë patur shtrirjen përtej mureve rrethuese që ekzistojnë sot në hapësirën e 30 ha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë