Lajme

Rrjetat nxjerrin kufomën nga deti, dyshohet se është ekzekutuar

Rrjetat e një anijeje peshkimi në Durrës kanë nxjerrë në breg të detit trupin e pajetë dhe të dekompozuar të një mashkulli, identiteti i të cilit pritet të mësohet pas kryerjes së autopsisë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të ditës së diel, kur anija e peshkimit “Emiliano” ka nisur të mbledhë rrjetën e hedhur gjatë natës në një distancë rreth 7 kilometra nga bregu i detit.

Burime raportuan për gazetën “Si” se trupi i pajetë ka qenë i mbështjellë me natriban. Peshkatarët kanë njoftuar menjëherë policinë. Kjo e fundit ka nisur menjëherë hetimet për të identifikuar viktimën dhe për të zbardhur nëse bëhet fjalë për një vdekje aksidentale, apo vrasje.

Burime nga Policia e Shtetit thanë për gazetasi.al se paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një ekzekutim të tipit mafioz. “Nisur nga fakti që trupi i viktimës është gjetur i mbështjellë me letër natriban, ka dyshime të forta se bëhet fjalë për një vrasje”, thonë burimet.

Në media qarkulloi edhe lajmi se viktima ishte pa gjymtyrë. Por, në njoftimin zyrtar të Policisë së Durrësit përgënjështrohet se trupi i viktimës ishte i mbështjellë me natriban, po ashtu edhe se i mungonin gjymtyrët.

“Nga ekspertiza e jashtme, trupi nuk ka qenë i lidhur apo i mbështjellë. Nga kqyrja nuk janë evidentuar shenja dhune apo dëmtime të ndonjë natyre tjetër. Trupi ishte i veshur me rroba, i janë evidentuar gjithë gjymtyrët, por është dekompozuar për shkak të lagështisë”, thotë policia.

Policia shton gjithashtu se së bashku me Prokurorinë po punon për identifikimin e viktimës. Ndërkohë, data e saktë se kur mund të ketë ndodhur ngjarja ende nuk mund të përcaktohet, por burimet thonë se nga grada e dekompozimit të trupit mendohet se ajo ka ndodhur të paktën para disa javësh.

 

Më Shumë