Treg

Rritja e punësimit në Shqipëri e pamjaftueshme, ka probleme strukturore

Sabina Veizaj-Banka Botërore në raportin më të fundit të saj,  sugjeron vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që të ndjekin rrugën e rritjes së punësimit formal dhe rritjen e pagës minimale për të rritur të ardhurat nga puna dhe për të krijuar mirëqënie të qëndrueshme.

Ajo vëren në raport se, po të shihen indikatorët e forcës së punës në Shqipëri ka ndasi mes femrave dhe meshkujve, të rinjve dhe më të rriturve. Kjo diferencë, thotë Banka Botërore është konsistente. Është më mirë në rajon, por duke u krahasuar me vendet evropiane dhe me ekonomitë e ngjashme paraqet probleme strukturore, kulturore, etj që duhen gjetur dhe analizuar.

Meqenëse punësimi nuk ka ndjekur vazhdimisht rritjen ekonomike, Ballkani Perëndimor duhet të adresojë ngurtësitë strukturore që ndikojnë në tregun e punës. Në dekadën e fundit në disa vende, elasticiteti i rritjes së punësimit ndaj rritjes së PBB-së ka qenë minimal. Fakti që sektorët me intensitet të lartë të punës si turizmi dhe ndërtimi nxitën rritjen në Malin e Zi mund të pasqyrojnë lëvizshmëri të ulët të punës ose lidhje të dobëta midis turizmit dhe furnizuesve vendorë të shërbimeve dhe mallrave. Është e qartë se është e nevojshme të çmontohen të dyja barrierat që pengojnë popullatën vendase të punësimit nga fitimi i vendeve të punës dhe barrierave rregullatore për hyrjen e firmave dhe konkurrencën në sektorët me rritje të lartë dhe furnizuesit e tyre.

Megjithatë, sipas raportit pavarësisht inflacionit ende të ulët, krijimi i vendeve të punës dhe rritja e pagave ka ndikuar në rënien e varfërisë. Në vitin 2017, norma mesatare e varfërisë për Shqipërinë, Kosovën, Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë ra rreth 1 pikë përqindje të krahasuar me një vit më parë due regjistruar një normë  23.1 për qind. “Por inflacioni në rritje, veçanërisht për çmimet e ushqimeve dhe energjisë, ndikon tek familjet me të ardhura më të ulëta ku buxheti i familjeve shkon veçanërisht për ushqim.”-citon raporti.

Prandaj, vijon raporti më tej, rritja e moderuar e pagave minimale ndikon në rritjen e produktivitetit dhe inflacionin i cili në Serbi arrin nivelin e 4.3 përqind-shit, ka qenë në dobi në mbështetje të të varfërve.

Raporti vlerëson se në Shqipëri, rritja e pagës minimale dhe përdorimi më i lartë i kapaciteteve në sektorin bujqësor dhe ndërtim inkurajuan pagat.

Por pagat në Shqipëri rezulton të jenë rritur më pak se në vendet e tjera të rajonit.  Në tremujorin e parë të vitit 2018 pagat reale u rritën me 2.3 për qind; ato rezultojnë të jenë rritur më shpejt për gratë sesa për burrat, duke ngushtuar hendekun gjinor.

Në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në gjysmën e parë të vitit pagat neto u rritën nominalisht me 5.5 për qind  dhe me mbi 10 për qind në sektorët me paga të ulëta. Ndonëse kjo ka gjasa të ndihmojë në reduktimin e varfërisë, industritë që kërkojnë punë, siç janë tekstilet, i kanë kërkuar qeverisë të subvencionojë kostot për të shmangur shkurtimet. Me fjalë të tjera, thotë raporti, rreth 134,000 njerëz iu larguan varfërisë përgjatë 2016-17.

Banka Botërore sugjeron se për të mbështetur dhe nxitur përmirësimet aktuale në lidhje me mirëqënien e qnëdrueshme, vendet në të gjithë rajonin do të duhet të vazhdojnë të krijojnë vende pune.

Për pagën minimale, Banka Botërore thotë se duhet të mbetet një instrument funksional i politikës së tregut të punës, për të shmangur një rritje të punësimit joformal dhe për të ruajtur konkurrencën e kostos.

Lëvizja më e lartë, brenda dhe mes vendeve, mund të ndihmojë në reduktimin e papunësisë. Dallimet rajonale të papunësisë janë të rëndësishme jo vetëm midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe brenda secilit. Papunësia varion nga 11.9 përqind në Serbi në rreth 29 përqind në Kosovë. Por brenda secilit vend ka dallime që tregojnë një panoramë edhe më të zymtë: për shembull, në Mal të Zi papunësia shkon nga 3.2 për qind në rajonin bregdetar dhe deri në 30.8 për qind në veri Papunësia në veriun e Malit të Zi është 11 herë më e lartë se në zonat bregdetare; madje edhe rajoni qendror, i cili është brenda distancës së bregdetit, ka trefishuar normën e papunësisë. Megjithëse punësimi në sektorin e turizmit po rritet, migrimi i brendshëm është shumë i ulët për të plotësuar të gjitha vendet vakante. Në Maqedoni, sa më afër është Greqia dhe Bullgaria, aq më e ulët është shkalla e papunësisë. Në Serbi, papunësia është më e lartë në jug dhe në lindje se sa në veri.

Ndërkohë, Beogradi ka mungesa të punës në transport dhe ndërtim. Nëse punësimi lëviz ngadalë, vëren BB, mund të pengojnë rritjen afatgjatë të produktivitetit në nivel industrial dhe rritjen e përgjithshme ekonomike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë