Ekonomi

Miratohet rritja e pagave/ Ibrahimaj: Efekti financiar 39 mld lekë, përfitojnë 130 mijë punonjës. Rroga e deputetëve e qeveritarëve dyfishohet

Nga Gazeta 'Si'- Kuvendi miratoi të enjten rritjen e pagave për deputetët dhe ministrat. Projektligji  është votuar nga  95 deputetë, 3 kundër, 5 deputetë refuzuan që të votonin, ndërsa asnjë prej ligjvënësve nuk abstenoi. Më herët gjatë paradites, Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj prezantoi në Kuvend projektligjin për rritjen e pagave në institucionet publike, duke ftuar deputetët ta votojnë.

Rritja e pagave të Presidentit, Kryeministrit, ministrave, deputetëve dhe nëpunësve të administratës është ndryshimi më i madh që është bërë në politikën buxhetore, sipas ministres.

“Sot ndihem e privilegjuar që vij para jush me finalizimin e një pune të gjatë që solli një reformë të plotë të pagave në administratën publike. Besojmë se do të pasohet me rritje edhe në sektorin privat. Bazat e kësaj reforme nisën me rritjen e pagës minimale, që do të vazhdojë të rritet deri në vlerën 45 mijë lekë", tha Ibrahimaj.

Paga e deputetëve dhe qeveritarëve do të dyfishohet. Ajo e deputetëve bëhet nga 156 770 lekë që është aktualisht në 310 250 lekë, ndërsa e Ministrave nga 174 760 lekë në 318 750 lekë bruto. Kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit paga u rritet në thuajse 400 000 lekë bruto nga 228 000 lekë që është sot.

Sipas ministres, gjatë vitit të ardhshëm paga mesatare në administratën publike pritet të arrijë në 900 euro. "Kjo reformë nuk nisi nga hiçi. Kemi vite që duam ta realizojmë por duhet të përmbushen kushtet e caktuara ekonomike që të implementohet. Po japim një pagë më të mirë dhe do të presim një punë më të mirë për çdo pagë", tha Ibrahimaj.

"Reforma që sjellim sot do t’i vërë kapakun rritjes së pagave. Sot kemi pagë minimale në nivelin 40 mijë lekë, në vitin 2013 ishte 22 mijë lekë. Ne kemi hapësirën për të përballuar rritjen e pagave. Synojmë të krijomë një piramidë të pagave. Efekti financiar i kësaj reforme është 39 miliard lekë. Janë mbi 130 mijë punonjës të cilët do të përfitojnë nga kjo reformë”, tha ministrja e Financave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë