Politike

Tabaku: Në 10 vjet qeveria nuk punoi për rritjen graduale të pagave

Deputeti e PD-së, Jorida Tabaku, foli në Kuvend për paketën e projektligjeve që synon rritjen e pagave.   

“...Rritja ekonomike e parashikuar nga qeveria shqiptare vitin e shkuar prej 4.84% nuk do të jetë më e tillë; pritshmëria tejet optimiste e qeverisë shqiptare në fakt do të përfundojë në 2.2%.

Mbi 70% e shqiptarëve vuajnë një krizë ekonomike, krizë pagash të ulëta dhe krizën e inflacionit socialist si pasojë e politikave të skaduara që kanë ndërtuar një sistem të skaduar dhe një kënetë të madhe ekonomike që qytetarët dhe të rinjtë e kuptojnë.

Xhepat e qytetarëve, sidomos ato që kanë marrë kredi në banka, do të paguajnë gjithnjë e më shumë para në këstet e tyre.

Sot, një shqiptari do t’i duhet të punojnë mbi 14 vite për të paguar një kredi hipotekore për një shtëpi. Çmimet e konsumit për shportën e ushqimeve janë rritur me mbi 20% ndërkohë që inflacioni bazë i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë është duke shkuar në 9% ndërsa në vendet e BE inflacioni bazë (core inflation rate) është tek 6.3% në Janar ndërsa në Shqipëri ka qenë 8.4%”, tha Tabaku. Më tej ajo u fokusua tek rritja e pagave

“Nga viti 2019 deri më 2022, paga minimale në vend është rritur me ritme dy herë më të larta se paga mesatare. Gjatë këtij harku kohor, paga minimale u rrit me 30% dhe paga mesatare, me vetëm 15%.

Vetë paga mesatare nga 45.5 mijë lekë bruto në 2014, arriti në 66 mijë lekë pas 9 vitesh në 2022-n, me një rritje të pa indeksuar me inflacionin prej 45%. E indeksuar me inflacionin, rritja pagës reale është vetëm rreth 25% në 9 vjet!

Për dhjetë vjet me radhë janë marrë mbi 4 Eurobonde, kontratat e PPP-ve kanë shkuar sa 50% e PBB-së ndërkohë që konkurueshmëria e pagave me rajonin e ka çuar Shqipërinë të fundit. Fuqia blerëse e një familje shqiptare që merr pagë minimale sipas EUROSTAT është më e ulëta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Një ekonomi e tillë, nuk prodhon dot një rritje pagash pasi ekonomia e tregut i rrit pagat jo me urdhër partie, as me dëshirë kryeministrie por me kërkesë-ofertë tregu.

Të punësuarit në administratën publike e meritojnë rritjen e vonuar të pagave. Pasi qeveria në vend që të punonte për një rritje graduale të pagave dhe padyshim edhe meritokracinë ka investuar në sektorin e korrupsionit. Fatkeqësisht pabarazia në vendin tonë duket se është thellësisht një proces i ndikuar dhe drejtuar nga parlamenti i Shqipërisë. Sa e sa ligje janë miratuar këtu që promovojnë pabarazinë dhe mungesën e mobilitetit social?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë