Treg

Rritja e normës së interesit rikthen rritjen e yield-eve të letrave me vlerë

Nga Gazeta 'SI' - Rritja e fundit e normës bazë të interesit në fillim të nëntorit ka dhënë efektet e para te letrat me vlerë. Në ankandin e fundit të Bonove 12-mujore, yield-i është rritur në 3.31%, nga 3.1% në ankandin e fundit.

Gjithsesi edhe këtë herë, kërkesa vijoi të jetë e ulët, ku nga 9 mld lekë që ishte shuma e shpallur, u kërkuan 8.3 dhe u pranuan 8.

Normat e interesit dhe yield-et e letrave me vlerë luhaten shpesh në varësi të njëra tjetrës dhe perceptimit të investitorëve. Kohët e fundit të dy treguesit ishin pothuajse të barazuar, kur norma ishte 3%. Ndonëse yield-i shënoi rritje, me vendimin e fundit të BSH, mbetet përsëri pranë kufirit të normës, që shkoi 3.25%.

Rënia e kohëve të fundit të yield-eve, sipas shpjegimit të BSH-së lidhet me nevojën e lartë të qeverisë për financim. Nga ana tjetër, stabilizimi i interesit të kredive, uli kërkesën për titujt e borxhit. 

Sipas ekspertëve, një sjellje e tillë tregon një lloj sigurie në të ardhmen ekonomike, ku individët apo bizneset nuk presin një rritje të inflacionit. “Strehimi” në titujt e borxhit nënkupton të kundërtën.

Sipas shifrave të AMF-së deri në qershor 2023, shqiptarët mbajnë 155 mld lekë të borxhit të qeverisë, duke u rritur me 22 mld lekë në raport vjetor. Gjithsesi sipas tendencës mujore kërkesa dhe interesi është zbehur nga janari në qershor.

Bonot e thesarit mbeten lloji më tërheqës i investimit në borxh për shqiptarët, kryesisht ato 1-vjeçare, ku për 6 mujorin janar-qershor 2023, kanë blerë rreth 17 mld lekë, duke zënë pothuajse 30% të tregut. Bonot janë më të preferuara lidhur me maturimin afatshkurtër dhe kthimin e parave më shpejt tek investitorët. Rreth 5.5 mld lekë kanë investuar tek obligacionet.  Me më shumë interes rezultojnë ato me maturim 7-vjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë