Treg

Qytetarët blenë 28 mld lekë të borxhit të qeverisë në 2023-shin. Bie interesi

Nga Gazeta ‘SI’- Shqiptarët kanë investuar më shumë se 28 mld lekë në titujt e borxhit të qeverisë, deri në fund të muajit shtator 2023. Sipas të dhënave nga AMF, kjo është 6.2% më e ulët se vlera e investuar në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Gjithsesi të ndara sipas transaksioneve, treguesi është rritur me 8%, duke arritur 10.300 të tilla.

Muaji me numrin më të madh të transaksioneve është janari, ku yield-et e titujve ishin ende të larta, por edhe fushata e qeverisë për të tërhequr sa më shumë qytetarë drejt blerjes së borxhit të saj duket të ishte ende efektive. Në muajt e tjerë, interesi është zbehur.

Bonot e thesarit mbeten lloji më tërheqës i investimit në borxh për shqiptarët, kryesisht ato 1-vjeçare, ku për 9 mujorin janar-shtator 2023, kanë blerë rreth 20.8 mld lekë, duke zënë 67% të tregut. Bonot janë më të preferuara lidhur me maturimin afatshkurtër dhe kthimin e parave më shpejt tek investitorët. Rreth 8.6 mld lekë janë investuar tek obligacionet, që po ashtu duket të jenë me interes. Më të kërkuara rezultojnë ato me maturim 7-vjeçar.

Qeveria shqiptare nisi një fushatë ndërgjegjësimi vjeshtën e shkuar për të nxitur qytetarët të investonin në tituj, sidomos bono, pasi normat ishin tepër të larta, shumë pranë 7% ndikuar nga rritja e normës bazë të interesit nga BSH.

Momentalisht, yield-et e titujve, sidomos bonove të thesarit janë shumë pranë normës së interesit 3%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë