Ekonomi

Shtrenjtohet përsëri kredimarrja, BSH rrit me 0.25% normën bazë të interesit

Nga Gazeta 'SI' - Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka deklaruar se Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur që të rrisë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në nivelin e 3.25% nga 3% që ishte më parë.

Në fjalën e tij, Guvernatori tha se kjo masë do të shërbejë për të ulur inflacionin në objektivin 2% brenda 2024-s, si edhe do të ruajë fuqinë blerëse të familjeve shqiptare, garantojë stabilitetin monetar e financiar të ekonomisë, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 4.1% në tremujorin e tretë, duke vijuar trendin rënës të ndjekur gjatë dy tremujorëve paraardhës. Reduktimi i inflacionit gjatë këtij tremujori pasqyroi – më së shumti – rënien e inflacionit të ushqimeve. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës u shfaq relativisht i qëndrueshëm, ndërkohë që tensionet e shtuara gjeopolitike kanë sjellë rritje të çmimeve të naftës” tha Sejko duke shtuar se rritja ekonomike e vendit pritet të shënojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit të ardhshëm.

Sejko shtoi se inflacioni i importuar ka rënë, por presionet e brendshme vijojnë të jenë të qëndrueshme.

“Rritja ekonomike është diktuar nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga rritja e të ardhurave nga turizmi. Ajo është pasqyruar në zgjerimin e aktivitetit në sektorin e shërbimeve e të ndërtimit, ndërkohë që sektorët e tjerë të ekonomisë kanë pasur një ecuri më të dobët. Rritja e qëndrueshme e kërkesës për mallra e shërbime e ka shtyrë ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Ajo është pasqyruar në përmirësimin e gjendjes financiare të biznesit e të konsumatorit, në rritjen e vazhdueshme të punësimit, si dhe në rritjen e shpejtë të pagave e të kostove të prodhimit. Në këtë kontekst, pagat në sektorin privat u rritën me 15% në tremujorin e dytë, norma e papunësisë është pranë niveleve më të ulëta historike, ndërsa bizneset raportojnë vështirësi në sigurimin e fuqisë punëtore. Kjo dinamikë sugjeron se – edhe pse në rënie – presionet e brendshme inflacioniste nuk janë ende në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve” tregoi Guvernatori i BSH-së.

Më tej, Sejko e quajti “të qetë dhe normal” aktivitetin e kursit të këmbimit, ndonëse forcimi i lekut ka vazhduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë