Shendet

Rritja e infektimeve me covid/Ekspertët: Në kufi nuk ka kontrolle

“Ne e dimë se maskat nuk u mbajtën as gjatë pandemisë ndaj dhe tani, është e kotë të ketë rishikim të masave. Por të paktën në ambiente të mbyllura apo spitale është detyrim që edhe këtu neglizhohet e të parët janë vetë mjekët”, thonë burimet nga ISHP për gazetën “Si”.

Nga Ina Ahmetaj-Shqipëria mbetet moskokëçarrëse për të respektuar masat anticovid, në pikat kufitare, ndonëse me nisjen e sezonit turistik numri I udhëtarëve ka ardhur në rritje.

Ekspertët e shëndetit publik i thanë gazetës “Si” se as maskat dhe as distancimi social nuk respektohen.

“Tashmë me lehtësimin e masave anticovid, asgjë nuk kontrollohet. Ne kemi theksuar se mbajtja e maskave në ambientet e mbyllura dhe distancimi, po ashtu dhe vaksinimi nuk duhet të ndalen por si gjatë dy viteve të pandemisë, ka neglizhencë në respektimin e masave anticovid”, thonë ekspertët.

Ndryshe nga aeroportet e tjera ndërkombëtare, mbajtja e maskës edhe në aeroportin e Rinasit prej muajsh nuk është më detyrim. Udhëtarë dhe qytetarë që shoqërojnë të afërmit e tyre krijojnë grumbullime të vazhdueshme në hollet e aeroportit por askush nuk të thotë se maska duhet të mbahet.

Maskat nuk janë më të detyrueshme as në pavionet e spitaleve, qendrat tregtare, ndonëse në vendimin e fundit të Komitetit teknik të eskpertëve, u theksua se mbajtja e saj do të vijonte të ishte e detyrueshme.

“Ne e dimë se maskat nuk u mbajtën as gjatë pandemisë ndaj dhe tani, është e kotë të ketë rishikim të masave. Por të paktën në ambiente të mbyllura apo spitale është detyrim që edhe këtu neglizhohet  e të parët janë vetë mjekët”, thonë burimet nga ISHP për gazetën “Si”.

Rritja e numrit të rasteve me covid, me nisjen e sezonit turistik, ka “tronditur” paksa rehatinë e  shoqërisë të krijuar pas lehtësimit të masave anticovid.

Duke filluar nga data 1 Maj 2022, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi që për të gjitha udhëtimet drejt Shqipërisë, si në rrugë detare, tokësore apo ajrore, të mos kërkohej asnjë dokument specifik në kushtet e Covid-19.

Por në vendim theksohet se të gjithë udhëtarët të cilët lejohen të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, përveç respektimit të protokolleve të standardeve ndërkombëtare që kompanitë ajrore aplikojnë kudo në botë, duhet të zbatojnë edhe këto rregulla:

• Në ndërtesën e aeroporteve, do të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarët e tyre;

• Pasagjerët duhet të respektojnë distancën sociale 1.5 metra gjatë gjithë kohës së qëndrimit në aeroport;

• Prioritet kanë personat e moshuar, personat në nevojë dhe familjet me fëmijë të mitur;

Në vendimin e 1 majit të Komitetit Teknik për parandalimin e përhapjes së covid-19, këshillohen  shtetasit e huaj se  mbajtja e maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik është e detyrueshme.

“Rekomandohet mbajtja e maskës kudo ku nuk mund të ruhet distancimi social, si edhe për ata që ende nuk kanë bërë dy dozat e vaksinës”, thuhet në udhëzuesin për shtetasit që hyjnë në territorin shqiptar. Por mesa duket edhe turistët e huaj e njohin mirë shprehjen popullore  “Sipas vendit, bëhet kuvendi”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë