Njerez

Rritja e çmimit të patentës dynd njerëzit në qendra shëndetësore për të marrë raportin mjekoligjor

Nga Gazeta Si - Në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve nr.2 në Tiranë prej disa ditësh nuk është zbrazur ndonjëherë korridori pranë dhomave të ORL-së. Është e vështirë të kalosh nga recepsioni te dera e mjekut ORL për shkak të njerëzve që janë mbledhur te xhami i recepsionit dhe kërkojnë informacione, duan të dorëzojnë dokumentacionin.

Situata është e njëjtë edhe prapa derës së mjekut ORL. Shumë njerëz, kryesisht të rinj, presin në radhë për të bërë vizitat që u duhen për të plotësuar formularin për kursin e patentës. Këtu është shumë e thjeshtë të dallosh se të gjithë janë të acaruar, nervozë dhe gati për të ikur.

Arlind Xhaferaj, 20 vjeç, një prej personave që priste në radhë, thotë për Gazetasi.al se prej dy orësh ndodhet aty dhe as nuk e di dhe sa do të rrijë, gjë që e streson akoma më shumë.

“Jemi këtu që prej orës 8 (ora gjatë bisedës tonë ishte 10) dhe kam para meje dhe persona të tjerë”, thotë Xhaferaj. Ai shton se ka 2 vite që mendon të marrë patentën, por nuk është regjistruar kurrë në kurs për shkak angazhimeve në shkollë dhe punë.

“Unë jam në shkollë dhe në punë dhe e kam lënë pas dore marrjen e patentës për shkak të kohës. Vetëm kur mendoja kohën që do harxhoja më dukej një angazhim i madh. Tani po përjetoj pikërisht atë që më stresonte më shumë”, shpjegon Xhaferaj, i cili shoqërohet nga një shok që gjithashtu do të kryejë vizitat për të plotësuar formularin.

“Kam menduar gjithmonë që kur të kem një makinë timen, atëherë do të marr patentën sepse më dukej e pakuptimtë që të marr patentën pa pasur një makinë. Por me rritjen e çmimit, është më mirë që ta marr tani, ta kem. Të paktën kështu mendoja para se të më duhej të qëndroja në radhë kaq shumë”, thotë edhe shoku i Arlindit.

Në mesin e personave që presin radhën, ka shumë vajza që kanë të njëjtën ide: Të marrin patentën që ta kenë por që në fillim të kësaj rruge, janë lodhur dhe stresuar aq sa mendojnë edhe ta lenë fare.

“Mua nuk më duhet patenta tani. Po e bëj vetëm për shkak të çmimit dhe gjithë kjo radhë po më streson aq shumë sa më mirë ta lë fare”, thotë një nga vajzat që pret në radhë në këtë qendër shëndetësore. “Ndoshta as nuk e rrisin çmimin dhe gjithë kjo rrëmujë po bëhet kot”, ia pret me nerva një vajzë tjetër pranë saj. Ajo tregon se ka shkuar në shumë autoshkolla për të pyetur dhe asnjëra prej tyre nuk i ka thënë të njëjtën gjë.

“Një autoshkollë më tha se duhet ta bëj sa më shpejt sepse nga marsi mund të dyfishohet çmimi, një tjetër më tha ta marr me ngadalë sepse nuk do rritet çmimi tani shpejt. Është bërë një lëmsh që po na streson shumë”.

Në Poliklinikën numër 9, që ndodhet në Rrugën e Kavajës, mjekët thonë se fluksi vazhdon po njësoj si në ditët e para pasi doli lajmi për rritjen e çmimit të patentave. Njëri prej tyre na flet shkurt mbi këtë fluks njerëzish, duke mos ngritur as kokën nga regjistri ku shënon emra e të dhëna personale, pa pushim. “Nuk dalim dot as deri në korridor nga kaq shumë njerëz”, thotë mjeku, duke drejtuar dorën nerovze për nga korridoret e tejmbushura, përsëri pa e ngritur kokën nga regjistri.

Në Poliklinikën numër 2 në Tiranë situata është po njësoj. Janë rreth 15-16 persona më shumë se zakonisht që qëndrojnë të mbështetur te njëri-tjetri apo dhe në mur dhe presin prej orësh vetëm për rekomandim dhe formularin për raportin mjeko-ligjor. Disa prej tyre edhe janë përgatitur, duke marrë ujë me vete.

Edhe Besar Hysi, mjek në Poliklinikën numër 6 thotë për Gazetasi.al se ky është një fluks që vazhdon prej ditësh.

“Ka pasur shumë fluks këto ditë nga personat që vijnë marrin rekomandim dhe formularin tek ne, që më pas shkojnë tek okulistët dhe ORL për vizitën e syve dhe veshëve. Në krahasim me ditët normale, kemi më shumë se 10 persona në ditë”, thotë mjeku.

Ladi Çuka, administrator i autoshkollës Klavin në rrugën Reshit Çollaku thotë për Gazetasi.al se javën e kaluar “nuk ka pushuar telefoni nga personat që telefonojnë për të marrë informacione”. Pyetjet më të shpeshta sipas tij kanë qenë: A do të rritet çmimi? Kur do të rritet çmimi?

Çuka tregon se nga fluksi i madh, tani qytetarëve u kanë dalë probleme me raportin mjeko-ligjor.

“Për shkak të fluksit të madh nëpër poliklinika, qytetarët nuk po munden të tërheqin një raport pasi thonë se ka radhë shumë dhe për një vizitë të syve, u duhet të presin disa orë në radhë ku disa prej tyre sigurisht që munden edhe për shkak të punës”, thotë administrator i autoshkollës.

Sipas autoshkollave, qytetarët mund t’i “shpëtojnë” rritjes së çmimit të patentës nëse deri në momentin që futet në fuqi rritja e çmimit të patentës, ata kanë arritur të marrin të paktën teorinë, e cila merret për 15 ditë.

Ndërkohë, akoma nuk ka një datë fikse se kur futet në fuqi ndryshimi i çmimit. Administratorë autoshkollash thonë se mund të fillojë në mars, të tjerë thonë se mund të fillojë në prill dhe të tjerë akoma as nuk janë të sigurtë nëse do të finalizohet rritja e çmimit të patentave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë