Lajme

PD: Kur të vijmë në pushtet do e ulim çmimin e naftës me 300 lekë

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Eno Bozdo në një deklaratë për mediat, theksoi se rritja e çmimit të naftës me justifikimin e detyrimeve të Shqipërisë kundrejt BE është një gënjeshtër e pastër.
Ai theksoi se me rritjen e re të çmimit të karburantit, paratë shkojnë dy herë në xhepat e oligarkëve të sektorit, ndërsa shqiptarët paguajnë dy herë të njëjtën gjë.
“Qeveria ka programuar një tjetër rritje çmimi për karburantin. Sado që Rama të fshihet dhe ta mohojë këtë fakt, e vërteta është se ai po programon të fusë përsëri duart në xhepat bosh të shqiptarëve.
Shqipëria sot ka çmimin më të shtrenjtë të karburantit në Europë, ndërkohë është vendi më i varfër i saj. Çmimi i karburantit sot është shumë i shtrenjtë, sepse qeveria e ka ngarkuar atë me taksa dhe akciza shumë të larta, të pahasura në asnjë nga vendet e tjera të rajonit dhe të BE.
Sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto, qeveria kërkon përsëri të rrisë çmimin e karburantit. Këtë kërkon të justifikojë në emër të detyrimeve të Shqipërisë kundrejt BE dhe përafrimit të legjislacionit të fushës”, u shpreh Bozdo.
Ai tha se masa kryesore që do të marrë PD me ardhjen në pushtet do të jetë ulja e menjëhershme e çmimit të karburantit me 300 lekë për litër.
“Nuk ka gjë më të rëndësishme për Partinë Demokratike sesa mirëqenia e shqiptarëve. Për këtë, Partia Demokratike ka tashmë një plan solid për të rimëkëmbur ekonominë. Një ndër masat kryesore do të jetë ulja e menjëhershme e çmimit të karburantit me 300 lekë për litër.
Ashtu siç do të vendosim menjëherë taksën e sheshtë 9% dhe do të reduktojmë të gjithë burokracinë, korrupsionin dhe hajdutërinë që po i merr frymën sot biznesit. Ne jemi të vendosur që shume shpejt ta bëjmë Shqipërinë vendin më të mirë për të bërë biznes, ndërsa shqiptarëve tu kthejmë mundësinë dhe dinjitetin për të jetuar normalisht në vendin e tyre”, tha ndër të tjera Bozdo.
Për të arritur këtë, Bozdo tha se do vazhdohet kauza e opozitës për të larguar kryeministrin Rama.
“Për këtë, së pari duhet të largojmë këtë maxhorancë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Edi Rama duhet të largohet dhe qeveria tranzitore duhet t`i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe leximit të drejtë të vullnetit të shqiptarëve. 30 qershori vertetoi se tashmë jemi shumicë absolute.
Prandaj do të vazhdojmë pa asnjë mëdyshje rrugën tonë të nisur, në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, përfundoi Bozdo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë