Trend

Rritja e çmimit të karburanteve/ Shqiptarët tani preferojnë të përdorin biçikletën… nga halli

Më rritjen e çmimit të karburanteve që nga muaji shkurt i këtij viti, është vënë re (të paktën në Tiranë) edhe një rritje e përdoruesve të biçikletave. Shitës të biçikletave të reja dhe të përdorura në kryeqytet, treguan për Gazetasi.al se kjo rritje në fakt nisi që gjatë pandemisë, si një mënyrë për t’iu përgjigjur frikës nga transporti publik. Por tani nuk është frika, por shtrenjtimi i karburanteve. Shqiptarëve nuk ua mban më xhepi të përdorin makinë përditë.

Egzona. L tregon për Gazetasi.al se ka një muaj që vendosi të blejë një biçikletë për të shkuar në punë dhe për të lëvizur në Tiranë.

“Nga Zogu i Zi e deri në QTU shkoja me makinë në të shumtën e rasteve, e në raste të tjera merrja Urbanin”, thotë 26-vjecarja. Ajo mendon se vendimi për të blerë një biçikletë ishte i duhuri. Biçikleta i kushtoi 25.000 lekë, e përdorur, e ardhur nga Zvicra. Ajo thotë se dyrrotaku i ka kursyer më shumë se 4 mijë lekë gaz në javë.

“Duke llogaritur lëvizjen time me makinë, deri para një muaji harxhoja rreth 4 mijë lekë në javë, 16 mijë lekë në muaj. Për një muaj që kam marrë biçikletën, makinën e kam nxjerrë nga shtëpia vetëm 2 herë, për të dalë jashtë Tiranës”, shprehet Egzona.

Shitës të ndryshëm të biçikletave tregojnë për Gazetasi.al se trendi i përdorimit të biçikletave është në rritje që në fillim të pandemisë, por ka njohur një rritje të re tani me rritjen e çmimit të karburanteve.

Sipas tyre, mosha që e blen dhe e përdor më shumë biçikletën është 25-35 vjeç dhe të gjithë e përdorin “për hall”, për të mbaruar punë më shpejt dhe më lirë.

Elisa nga ‘Tirana Cycle’ thotë për Gazetasi.al se pas rritjes së çmimit të karburanteve, u shtuan edhe klientët që blejnë biçikletë. Sipas saj, ajo që vihet re është se klientët kërkojnë biçikletë për të mbaruar punët e përditshmërisë.

“Shumë klientë thonë se e duan për të shkuar në punë apo për aktivitete të tjera të së përditshmes”, tregon ajo.

Por çfarë preferojnë më shumë blerësit, biçikleta të reja apo të përdorura? Këtu ka një ndarje të preferencave. Për fëmijët e tyre, shqiptarët preferojnë të blejnë biçikleta të reja edhe pse e dinë që në përgjithësi nuk do të përdoren për një kohë të gjatë. Ndërsa për vete, preferojnë biçikleta të përdorura por që janë origjinale dhe që mund ta përdorin për një kohë tejet të gjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë