Treg

Rritja e çmimit të karburanteve, rinis loja tek shitjet me pakicë

Sabina Veizaj – Çmimet e karburanteve për automjete në vend janë shtrenjtuar të paktën 5 lekë për litër në vetëm dy ditët e fundit. Në kryeqytet, mesatarisht nafta tregtohet me 183 lekë, ndërsa benzina me 184 lekë. Kurse gazi i lëngshëm është rritur mbi 10 lekë për litër.

Çmimi i karburanteve, 4 tetor 2018
Çmimi i karburanteve, 4 tetor 2018

Ekspertët ndajnë mendime të ndryshme për shkaqet se pse janë rritur çmimet e karburantit. Disa prej tyre këmbëngulin se tregu është i përqëndruar dhe fajësojnë qeverinë që nuk e kontrollon dot. Të tjerë, gjykojnë se përqëndrimi në tregun me pakicë të karburantëve është i pamundur sepse operatorët nuk kanë besim tek njëri-tjetri dhe e thyejnë marrëveshjen mbi çmimet në mënyrë të beftë.

Paulin Gega i “Gega Oil” i tha gazetës “Si” se çmimi në pikat shqiptare të karburantit është rritur si pasojë e rritjes së tij në tregjet ndërkombëtare.  Gega thotë se nafta është  rritur me 12 dollar çdo ditë për ton, “për një javë është rritur 70 dollarë. Ne blejmë çdo ditë dhe shesim çdo ditë në bursë ditore.”- sqaron ai më tej duke shtuar se  “Ne jemi tre operatorë:Kastrati, Elda dhe Gega. Ne shesim çdo ditë. Kur rritet në bursë çmimi, e rrisim edhe ne. Përveç të tjerash ne na rritet edhe dogana. Tarifa doganore bëhet në bazë të faturës.”

Gega shpjegon se për kompanitë me shumicë që operojnë në tregun shqiptar është e pamundur ti mbushin depot që zotërojnë vetë, pasi nuk kanë në dispozicion aq para. “Ne kemi furnitorë të huaj që e magazinojnë naftën në depot tona. Unë blej një mijë ton sot në bursë. Unë i kam depot me 76 mijë ton naftë, mua më duhen 60 mln dollar vetëm blerje. Asnjë operator  nuk e blen mallin vetë. Vjen, magazinohet, dhe ne blejmë aq sa na duhet; 1000 ton, 2000 ton.”  Por, thotë Gega, të mos harrojmë edhe taksat në rritje dhe ato që janë shtuar.

Eksperti Gjergj Bojaxhi shpjegon se çmimet e karburanteve vendosen nga bursa dhe kursi i këmbimit të dollarit. Nëse ka patur një rritje mbi përqindjen e rritjes së naftës në bursë, thotë Bojaxhiu, atëherë mund të themi se operatorët kanë rritur marzhet e fititmit.

Në bursën Plattsa më datën 3/9/2018 Nafta është tregtuar 697,75 $ për ton dhe Benzina 745.5 $ për ton. Kurse dollari sipas Bankës së Shqipërisë është këmbyer me 108,91 lekë. Kurse në Plattsa, 3/10/2018, Nafta është tregtuar me 739,25 $ për ton dhe Benzina me 762,25 dollarë për ton. Kurse  dollari është këmbyër me  108 lekë.

Shoqata e biznesit , Konfindustria, ka akuzuar për pozitë dominuese në tregun e karburanteve të automjeteve pasi ka vërejtur një rritje të fortë dhe të menjëhershme të çmimit të karburanteve nga të gjithë operatorët njëkohësisht në të gjithë vendin ditët e fundit. Konfindustria vë në dukje rolin e paqenë të autoriteteve rregullatore të tregut dhe politikat fiskale të gabuara.

“Analiza e të dhënave të siguruara nga vëzhgimi i kryer në muajin gusht 2018 nga Qëndra e Studimeve te Konfindustrisë tregon, se vlerësuar nga këndvështrimi i biznesit, çmimi i lartë dhe cilësia jashtë standarteve e karburanteve janë një nga nga tre problematikat kryesore pengesë te zhvillimit ekonomik të vendit. Rritja e mëtejshme e cmimit të karburanteve në vend rrezikon seriozisht të godasë ashpër deri në falimentim ekonominë dhe në rradhë të parë industritë dhe prodhimin vendor nga konkurenca e importeve. Shqiperia zë nga vendet e para në Europë për cmimin e lartë të karburanteve dhe cilësine e dobët te tyre ndërkohë, që zotëron burimin më të madh” on shore”/tokesor të hidrokarbureve në Europë”

Tregu i karburanteve citon Konfindustria,  zë mbi 10% te PPB/Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të ekonomisë së Shqipërisë me vlerë absolute mbi 1 miliard euro/vit dhe me ndikim të fuqishëm në gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë. “Humbjet e drejtpërdrejta, që i shkaktohen ekonomisë, biznesit, qytetarëve dhe buxhetit të shtetit nga abuzimet masive me çmimet, cilësine dhe evazionin fiskal llogariten në mbi 150 milione euro/vit. Këtu nuk llogariten humbjet e larta financiare nga ndotja mjedisore, shëndetit, makineritë dhe rënia e fuqisë konkuruese të ekonomisë kombëtare me prodhimet dhe sherbimet e huaja. Gjendja rëndohet edhe më shumë kur në treg hidhen sasi karburanti të prodhuara në Rafinerinë e Ballshit/ish Armo.”

Për ekspertin Vladimir Puka, menaxher në Tetra Oil, dominimi  që ka kompania “Kastrati në treg me 70% në tregun me shumicë të karburanteve dhe 50% në atë me pakicë dhe mungesa e kontrollit shtetëror janë arsyet kryesore të abuzimit me çmimet në tregun e karburanteve për automjete. “Monopol është gjithandej nafta, por shteti e kufizon me disa procedura, mekanzima që zbaton. Duke qenë i pakundërshtueshëm në treg Kastrati, operon me çmime si i do qejfi duke shfrytëzuar rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Por në tregjet ndërkombëtare rritet nafta bruto. Kur çmimi ulet , operatorët në Shqipëri e ulin pas dy muajsh.”- shpjegon Puka.

Ai tregon për gazetën “Si” se në botë, në pikën e karburantit reflektohen menjëherë rritjet dhe në faqen e tyre të kompanisë në internet sqarohen arsyet, gjë që nuk ndodh në Shqipëri.

Autoriteti i Konkurrencës në 2015 ka bërë një hetim të thelluar ndaj disa kompanive të mëdha të prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve. Autoriteti ka dalë në konkluzion se nuk janë gjetur prova dhe evidenca direkte për një bashkëpunim mes kompanive në fjalë me qëllim krijimin e një pozite oligopoli në treg.

Në atë kohë, Autoriteti ka vërejtur se konkurrenca në këtë treg nuk është efektive për shkak të strukturave të tregut dhe rregullave ligjore. Duke analizuar çështjen e strukturave të tregut autoriteti konstatoi atëherë se ka hallka të tepërta që nuk justifikojnë vlerën e shtuar nga importi, zonat e lira doganore, shitjet me shumicë dhe pakicë, çka sjell rritje artificiale të kostove dhe elasticitet të ulët të çmimit të karburanteve kur ky ulet në tregjet ndërkombëtare.

Autoriteti i Konkurrencës i ka  propozuar qeverisë rishikimin e ligjit për hidrokarburet për të eliminuar hallkave të tepërta në zinxhirin e tregtimit, uljen e kostove, ruajtjen e identitetit të produktit dhe konkurrimin përmes logove.

Për ekspertin Vladimir Puka, konkurrenca më kot heton tregun me shumicë, sepse sipas tij është e pamundur të gjej abuzime në këtë lloj tregu. “Në shumicë nuk ka ndonjë ndryshim, janë gati të gjithë njësoj sepse nuk mund të kapësh abuzime në sasi kolosale nga toni, tek rafineritë deri në treg. Në tregun me pakicë duhet hetuar për të kuptuar dominimin në treg”- thotë Puka nduke shtuar se pjesë e rritjes së çmimit janë edhe taksat e rritura.  “Duke u rritur çmimi, qeveria fërkon duart sepse rriten të ardhurat në buxhet. Organizmat janë të dobta. Qeveria nuk kontrollon, është vulnerabël karshi tyre dhe parashikoj se do të shkojë më keq.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë