Taksa

Rritja e çmimeve, Qeveria parashikon 57 mln euro shtesë vetëm nga TVSh

Qeveria planifikon që të arkëtojë rreth 7 mld lek, ose rreth 57 mln euro, shtesë vetëm nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar përgjatë këtij viti, jo si pasojë e zgjerimit të kategorive, apo produkteve që përfshihen në skemën e TVSH-së, por prej efektit të rritjes së çmimeve.

Llogaria nënkuptohet nga akti normativ i 12 marsit, kur u vendos që të rriten shpenzimet me 10 mld lek, ose rreth 80 mln euro, por pa thelluar deficitin buxhetor. Kjo do të thotë thuajse dy të tretën e parave që do të përdoren në kuadër të paketës së rezistencës sociale do të sigurohen nga rritja e arkëtimeve prej TVSH-së.

Produktet e përfshira në TVSh tatohen në masën 20 për qind. Vetëm nga rritja e çmimit të naftës, në momentin e pikut të saj kur kapi shifrën 260 lek për litër, qeveria arkëtonte 48 lek për litër vetëm TVSh.

Sipas një analize të Open Data, rishikimi i të ardhurave nga taksat e rrit TVSh-në me 4.2 për qind në krahasim me parashikimin e bërë në buxhetin e shtetit për këtë vit. 2 miliardë lek, ose rreth 16 mln euro, të tjera shtesë nga parashikimi buxhetor, Qeveria parashikon t’i sigurojë nga mbledhja e tatim-fitimit. Me rritje parashikohet edhe akciza, po në shifrën e dy miliardëve.

Vetëm këto tre taksa e kalojnë me 1 mld lek koston e paketës së rezistencës sociale të miratuar përmes aktit normativ të 12 marsit.

Ndërkohë, të ardhura shtesë nga parashikimi buxhetor planifikohen edhe nga të ardhurat personale, kategori që përfshin të ardhurat nga puna, qiramarrjet, fitimi në transaksionet e shit-blelrjes, dhurimit e të tjera.

Taksat e tatimet për të ardhurat personale janë fikse dhe nuk kanë ndryshuar, por planifikimi me rritje ndoshta po paralajmëron se Qeveria do të ndërmarrë një fushatë formalizimit të këtij sektori, që perceptohen si një prej sektorëve me informalitetin më të lartë në ekonomi.

‘Grykësia’ e Qeveria në mbledhjen e të ardhura shkon në kundërrymë me politikat që po ndjekin qeveri të rajonit dhe të vendeve të BE, të cilat po reduktojnë, apo heqin taksat që rëndojnë mbi karburantet dhe ushqimet, për të zbutur rritjen e fortë të tyre te konsumatorët.

Megjithatë, mbrëmjen e së premtes, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj përsëriti sërish se Qeveria shqiptare nuk ka në plan asnjë reduktim takse, qoftë për ushqimet, qoftë për karburantet. Masat e vetme të ndërmarra në këtë drejtim mbeten krijimi i dy bordeve të administrimit të çmimeve, për karburantet dhe ushqimet, që kanë për të detyrë të shmangin spekullimet në treg dhe paketa 3 mijë lekëshe në muaj për shtresat në nevojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë