Treg

Rritet papunësia – Të rinjtë të papunët më të mëdhenj

INSTAT ka raportuar se papunësia ka pësuar një rritje të lehtë në tremujorin e katërt të 2018-ës, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Bujqësia, industria dhe shërbimet kanë regjistruar më pak punësime të reja, sipas të dhënave.

Në tremujorin e katërt 2018, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 12,3 %. Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 1,1 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,1 pikë përqindje.

Të rinjtë janë ata që pësojnë peshën më të madhe të papunësisë me një shkallë zyrtare 22,3 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie, megjithatë mbetet e lartë. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2017, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e katërt të vitit 2018 është 2,3 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e tretë 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie prej 0,9 pikë përqindje.

Shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është është më e madhe se për femrat. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017, shkalla e papunësisë për meshkujt ka rënë më shumë se për femrat.

Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 9,2 %. Në terma vjetorë ky tregues pësoi një rënie prej 1,3 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë shkalla e papunësisë u rrit me 0,3 pikë përqindje.

Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018, 18,1 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 12,8 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 10,9 % në paaftësi të përhershme. Gjatë tremujorit të katërt 2018, 8,9 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë