Treg

Rritet kostoja e ndërtimit të banesave në tremujorin e parë

Instat ka publikuar raportin tremujor të Indeksit të Kushtimit në Ndërtim, pra si do të jetë kostoja për ato biznese që merren me ndërtimin e banesave. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti indeksi kapi vlerën 104.3 duke shënuar kështu një rritje me 0.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Brenda këtij indeksi grupet që pësuan rritje krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019 ishin “Shpenzime transporti” dhe “Kosto të tjera” respektivisht me 2.1% dhe 1.6%. Ndërsa grupet që pësuan ulje, po në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ishin “Shpenzime materiale” me 0.6% dhe “Shpenzime për paga” me 0.3%.

Ky indeks gjithashtu ka shënuar rritje krahasuar me tremujorin paraardhës, pra të katërtin e vitit 2019, me 0.2%. Grupet që kanë shënuar rritje, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar ishin “Kosto të tjera” dhe “Shpenzime transporti” respektivisht me 2.9% dhe 0.8%. Ndërsa ulje, krahasur po me tremujorin e kaluar, kanë shënuar grupet “Shpenzim për paga” me 0.9%, “Shpenzime makinerie” me 0.8% dhe “Shpenzime materiale” me 0.3%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë